ELBASAN- Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka prezantuar prefektin e ri të qarkut të Elbasanit, Gledian Llatja. Lleshaj ishte i shoqëruar nga deputetit i qarkut, njëkohësisht edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Në fjalën e tij për mediat, deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla u shpreh se Llatja është një energji e re për drejtimin e qarkut të Elbasanit.
“Punë të mbarë, energji e rë për drejtimin e qarkut. Ka një karrierë të konsoliduar prej vitesh në pjesën më të madhe të institucioneve të vendit në disa ministri dhe tashmë edhe në drejtimin e prefekturës së Elbasanit,”- tha Balla.
Ndërsa ministri i Brendshëm tha se ish-prefekti Maksim Malaj do emërohej në një tjetër detyre të rëndësishme.
“Malaj do të marrë një detyrë të re po aq të rëndësishme. Ka dhënë një kontribut të madh. Ka mbajtur një barrë shumë të madhe. I uroj prefektit të ri punë të mbarë dhe suksese,”- u shpreh Lleshaj.
Prefekti i ri është Gledian Llatja, shef kabineti në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Llatja shihet si një kandidaturë e mundshme e PS-së për t’u kandiduar për zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Elbasan. (LEXO KËTU)