Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, është shtruar në spital pasi shëndeti i tij është përkeqësuar nga  pneumonia e rëndë që i ka prekur të dy mushkëritë.

Daçiç u dërgua në spital mbrëmjen e së mërkurës pasi kishte probleme serioze në frymëmarrje. Aktualisht ai ndodhet i intubuar duke marrë frymë nëpërmjet aparaturave.

Mediat vendase raportojnë se gjendja e tij përshkruhet si veçanërisht serioze.

 “Ai ndodhet në ventilator dhe i janë administruar të gjitha ilaçet e nevojshme. Po përpiqemi të sigurojmë kohën e nevojshme që terapia të japë efekt. Po luftojmë për jetën e tij”, deklaroi Mjeku Spasoje Popeviç. Mjeku shtoi se 72 orët e ardhshme janë vendimtare për 60 vjeçarin. 

Ngjarja u prit me shqetësim edhe nga presidenti Aleksandar Vuçiç i cili shkoi në spital gjatë natës për t’u informuar nga afër mbi gjendjen shëndetësore të ministrit.

Daçiç, një nga figurat më të njohura të politikës serbe, ka një karrierë të gjatë dhe rol drejtues në Partinë Socialiste të Serbisë. Ai prej kohësh i ka mëshuar idesë se Kosova nuk mund të mbijetojë si shtet i pavarur.