Ministri i jashtëm gjerman: Idetë për prekje kufijsh në Ballkan, jorealiste dhe të rrezikshme

Idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan janë jo vetëm joreale, janë edhe të rrezikshme, është shprehur kështu ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas, ditën e djeshme në Kosovë. 

“E konsiderojmë të rrezikshëm edhe vetëm diskutimin që bëhet për këtë çështje. Nuk e di nëse ka projekte të tilla. Fakti që është folur për non-paper, është termi i duhur. Duhet të mbetet ashtu. Sa i përket ideve për ndryshime të kufijve, Qeveria gjermane i refuzon fuqishëm ato sepse një zgjidhje e tillë nuk çon në zgjidhje të problemeve”, ka deklaruar ministri i jashtëm gjerman, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Gjatë konferencës me presidenten Vjosa Osmani ai u shpreh se dëshiron që ideja e fundit në këtë drejtim të futet në sirtar dhe të jetë pjesë e së kaluarës.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Maas ka thënë se Gjermania ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e pakusht për dialogun në mes të këtyre vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

 “Në bisedimet për normalizim të marrëdhënieve, është normale nga të dyja anët të ketë kompromise dhe unë nuk dua të tërheq linja të kuqe, mirëpo në anën tjetër e di që për shkak të linjave historike e vështirë. Unë dëshiroj që në fund të procesit të gjejmë zgjidhje dhe të ketë gatishmëri nga të dyja palët që të gjejnë rrugë për kompromise”, ka deklaruar Maas.

Lidhur me këtë çështje, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nevojë për rinisje dhe jo vazhdimësi.

“Republika e Kosovës ka ofruar dorën e bashkëpunimit dhe pse për fat të keq Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Osmani duke theksuar se duhet drejtësi.

E rëndësishme gjatë konferencës ishte edhe menaxhimi I situatës së shkaktuar nga COVID-19. Maas ka deklaruar se me rritjen e prodhimit të vaksinave, Gjermania do t’i ndihmojë Kosovës që të vaksinojë popullsinë e vet dhe të tejkalojë me sukses pandeminë.

Ministri i Jashtëm gjerman, deklaroi se gjatë javëve të ardhshme në vend do të vijnë edhe një numër prej 100 mijë vaksinave antiCOVID në Kosovë.

“Kosova tashmë i ka pranuar 24 mijë nga 100 mijë vaksinat e planifikuara deri në maj nga COVAX. Në javën e ardhshme atyre do tu shtohen edhe 100 mijë vaksina të tjera. Ne e dimë që nuk mjafton, por ne llogarisim që vaksinat në javët e ardhshme do të shtohen nga kompanitë farmaceutike dhe kjo nuk do të jetë fjala e fundit. Ne do të ju mbështesim që të vaksinoni qytetarët dhe ta kaloni situatën me pandeminë në mënyrë të suksesshme”, tha Maas në konferencë për medie.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

Pas Kosovës, Maas të premten viziton edhe Serbinë. Para nisjes së takimeve në Prishtinë, Maas ka thënë se lufta kundër koronavirusit është temë e takimeve të tij në Prishtinë dhe Beograd.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj