Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgos Gerapetritis, i ka dërguar sërish mesazh Shqipërisë mbi çështjen e Fredi Belerit, duke deklaruar se perspektiva e saj evropiane lidhet me respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke.

Duke folur për zgjerimin e BE-së në konferencën ndërkombëtare ELIAMEP me titull “Perspektivat e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor në dritën e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës", Gerapetritis theksoi se Athina nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk përmbushin kriteret e anëtarësimit dhe parimet bazë të BE-së, si demokracia dhe shteti i së drejtës, duke iu referuar Shqipërisë.

Ai iu referua konkretisht rastit të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Belerit, duke folur për sjellje dhe praktika që sipas tij tregojnë se këto parime nuk janë miratuar ende nga të gjitha vendet kandidate.

“Shqipëria duhet të dëshmojë se respekton të drejtat e pakicës kombëtare greke dhe shtetin e së drejtës”, theksoi ministri i Jashtëm.

Departamenti Amerikan i Shtetit u dërgoi sot një mesazh autoriteteve shqiptare në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri, i cili vijon të jetë në qelitë e paraburgimit që pas arrestimit më 12 maj. Sipas Departamentit të Shtetit, qeveria amerikane pret që çështja të ndiqet sipas legjislacionit shqiptar. Në përgjigje të një pyetjeje të korrespondentëve grekë në Uashington, një përfaqësues i DASH-it theksoi se është në dijeni të ndalimit të Fredi Belerit dhe pret që autoritetet shqiptare të ndjekin një proces të rregullt sipas ligjeve të vendit.

Fredi Belerit, i cili akuzohet për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit,së bashku me bashkëpunëtorin e tij Kokaveshi akuzohen se ofronin 50 euro për votë, ndërsa ata u arrestuan më 12 maj duke dhënë paratë. Dy të pandehurit akuzohen për veprën penale ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’ kryer në bashkëpunim.  Fituesi i zgjedhjeve për Bashkinë Himarë, ka bërë 2 kërkesa për leje të veçantë që t’i mundësohet betimi si kryebashkiak, por burgjet kanë refuzuar. Ndërsa në Gjykatë të Lartë Beleri ka bërë 2 rekurse për të shpallur të paligjshëm arrestimin dhe përgjimet e prokurorisë.  Në seancën e 14 shtatorit pritet të jetë i pranishëm edhe vetë Fredi Beleri.