TIRANË - Mazhoranca qeverisëse ka filluar sulmin ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Më herët këtë e ka bërë ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, dhe ka vazhduar më pas juristi njëherësh ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirian Celibashi. Në një intervistë të parë, pas marrjes së kësaj detyre, Celibashi deklaron se reformimi sistemit të drejtësisë është një prej sfidave më të vështira të kësaj shumice, pasi lidhet me një pushtet tjetër dhe jo me ekzekutivin.

“Qoftë edhe ndryshime të karakterit kushtetues mund të jenë nisma që mund të çojnë në këtë drejtim. Reforma ligjore që qëndrojnë në një konsolidim të sistemit të karrierës në gjyqësor apo në atë prokurorisë, reforma që konsistojnë në trajtim dhe një status më të mirë ekonomik, social dhe më gjerë të punonjësve të drejtësisë, besoj se janë elementet më thelbësore dhe kryesore që do të ndikojnë në një përmirësim të situatës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

“Në kompleks mendoj se është koha për ta rikonsideruar të gjithë korpusin ligjor, pse jo edhe atë kushtetues që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë”, tha zoti Celibashi. Sipas tij, brenda sistemit të drejtësisë shikohet një organizim gati koorporatist të korpusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Kjo është në kuadër të gjithë asaj problematike që ka sistemi i drejtësisë. Mungesa e efiçencës së sistemit të drejtësisë nuk konsiston vetëm në dënimin e gjyqtarëve apo prokurorëve, por në përgjithësi me të gjithë ata shkelësit e ligjit”, shtoi ministri.

I pyetur nëse ekziston ndonjë plan për përfshirjen në një të dy gjykatave, asaj Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Celibashi tha: “Nuk mendojmë nëse ne bashkojmë Gjykatën Kushtetuese me Gjykatën e Lartë zgjidhim një problem të madh për sa i përket problematikës tërësore të sistemit të drejtësisë. Mund të jetë një ndër elementët pjesë të reformës, por jo domosdoshmërisht”.
 
Shkrimi u botuar sot (25.09.2013) në gazetën shqiptarja.com
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)