Irani është i gatshëm të bëjë kompromise për të arritur një marrëveshje bërthamore me Shtetet e Bashkuara, nëse Uashingtoni pranon të diskutojë heqjen e sanksioneve. Kështu ka deklaruar për BBC-në zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takht-Ravanchi.
Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë kanë thënë vazhdimisht se është Irani ai që po pengon përparimin në negociata. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se presidenti Donald Trump dëshiron një marrëveshje, por e konsideron shumë të vështirë arritjen e saj me Iranin.
Takht-Ravanchi u përgjigj se “topi është në fushën e Amerikës” dhe se nëse SHBA-ja tregohet e sinqertë, një marrëveshje është e mundur. Ai theksoi se Irani është i gatshëm të diskutojë për uljen e nivelit të pasurimit të uraniumit 60% — një nivel shumë pranë atij që nevojitet për armë bërthamore — por vetëm nëse në tryezë vendoset edhe çështja e sanksioneve.
Irani ka më shumë se 400 kilogramë uranium të pasuruar në nivel të lartë. Pyetjes nëse Teherani do ta dërgonte këtë material jashtë vendit, siç bëri në marrëveshjen e vitit 2015, diplomati iranian iu përgjigj se është ende herët për ta thënë. Rusia, e cila kishte marrë uranium iranian në kuadër të marrëveshjes së mëparshme, ka ofruar ta bëjë këtë sërish.
Një nga kërkesat kryesore të Iranit është që negociatat të përqendrohen vetëm te programi bërthamor. Sipas Takht-Ravanchi-t, duket se edhe pala amerikane ka kuptuar se, nëse kërkohet marrëveshje, duhet fokusuar vetëm në këtë çështje.
Irani kundërshton kategorikisht kërkesën amerikane për “zero pasurim”, duke e quajtur atë shkelje të të drejtave të tij sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Sipas zëvendësministrit iranian, kjo çështje “nuk është më në tryezë”, megjithëse Trump ka deklaruar se SHBA-ja “nuk dëshiron asnjë pasurim”.
Teherani refuzon gjithashtu të diskutojë programin e tij të raketave balistike, një kërkesë e fortë e Izraelit dhe e disa zyrtarëve amerikanë. Sipas Takht-Ravanchi-t, raketat janë pjesë e mbrojtjes së vendit dhe Irani nuk do të heqë dorë nga kapacitetet e tij mbrojtëse.
Ai shprehu shqetësim për mesazhet kontradiktore që vijnë nga Uashingtoni: nga njëra anë flitet për negociata paqësore, nga ana tjetër përmendet edhe ndryshimi i regjimit në Iran. Sipas tij, në komunikimet private përmes Omanit, SHBA-ja ka shprehur interes për zgjidhje diplomatike.
Irani paralajmëroi se një luftë e re do të ishte katastrofike për të gjithë rajonin. Nëse do ta ndiente veten të kërcënuar në mënyrë ekzistenciale, tha ai, vendi do të përgjigjej. Teherani ka bërë të qartë se bazat ushtarake amerikane në rajon do të konsideroheshin objektiva legjitime në rast përshkallëzimi.
Zyrtarët iranianë po zhvillojnë kontakte intensive me vendet e rajonit, të cilat, sipas tyre, janë pothuajse unanimisht kundër një lufte. Irani ka akuzuar Izraelin se përpiqet të sabotojë procesin e negociatave.
Megjithatë, pavarësisht skepticizmit të shumë analistëve, Takht-Ravanchi tha se Irani do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve në Gjenevë me shpresën se një marrëveshje mund të arrihet. “Ne do të bëjmë më të mirën tonë, por edhe pala tjetër duhet të tregojë se është e sinqertë,” përfundoi ai./ BBC
Komente







