Ministri i Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, mohoi ekzistencën e një populli ose kombi palestinez gjatë fundjavës, duke shkaktuar reagim nga Shtetet e Bashkuara vetëm disa javë pasi bëri thirrje që një qytet palestinez të "fshihej” nga harta.

Smotrich, një nacionalist hebre i krahut të djathtë, argumentoi se ideja e kombësisë palestineze u shpik në shekullin e kaluar si përgjigje ndaj lëvizjes sioniste për të themeluar Izraelin e sotëm.

“Kush ishte mbreti i parë palestinez? Çfarë gjuhe kanë palestinezët? A ka pasur ndonjëherë një monedhë palestineze? A ka histori apo kulturë palestineze? Asgjë. Nuk ka diçka të tillë me një palestinez”, tha Smotrich në një fjalim në Paris.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby kundërshtoi të hënën komentet, duke thënë se ato nuk do të ndihmonin për të qetësuar tensionet në rajon.

“Ne e kundërshtojmë plotësisht atë lloj gjuhe. Dhe është jashtëzakonisht e padobishme të përpiqesh të de-përshkallëzosh tensionet dhe të përpiqesh të gjesh një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete ndërkohë që flet me këtë lloj gjuhe.

Presidenca e Autoritetit Palestinez i kritikoi deklaratat e Smotrich si "raciste", duke i kunsideruar ato një përpjekje për të falsifikuar historinë.

Hamasi, lëvizja militante islamike palestineze që drejton Gazën dhe bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, i quajti gjithashtu raciste komentet e Smotrich, duke thënë se ato reflektojnë qartë politikat fashiste të zgjerimit të vendbanimeve koloniale dhe dëbimit të detyruar të popullit palestinez, mbi të cilin sipas tyre, u themelua shteti pushtues.