Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, zhvilloi sot një koferëncë për shtyp vetëm me gazetarë të përzgjedhur nga vetë ai. Ndryshe nga kolegët e tij në qeveri, ministri Jaupaj as nuk kishte njoftuar paraprakisht mediat për konferencën, në të cilën ishin të pranishëm vetëm gazetarë të ftuar personalisht nga ai, ose vartësit. Mes mediave të panjoftuara e të përjashtuara ishte edhe redaksia e Report Tv.

Për këtë sjellje të pashpjegueshme dhe antidemokratike të ministrit Jaupaj, me mediat, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. 

AGSH e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për të kontrolluar informacionin përmes përzgjedhjes selektive të mediave, duke krijuar precedentë të rrezikshëm për demokracinë dhe raportet mes institucioneve publike dhe medias.

Reagimi i plotë i AGSH-së:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh indinjatë për mënyrën e papranueshme me të cilën Ministria e Mjedisit dhe titullari Sofjan Jaupaj, kanë organizuar sot një konferencë për media, duke ftuar në mënyrë selektive vetëm disa operatorë mediatikë dhe duke përjashtuar pjesën dërrmuese të gazetarëve dhe redaksive të interesuara.

Kjo praktikë përbën një shkelje të hapur të parimit të barazisë në informim, cenon transparencën institucionale dhe dëmton rëndë lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë të plotë dhe të paanshme.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për të kontrolluar informacionin përmes përzgjedhjes selektive të mediave, duke krijuar precedentë të rrezikshëm për demokracinë dhe raportet mes institucioneve publike dhe medias.

I bëjmë thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe të gjitha institucioneve shtetërore që të respektojnë standardet demokratike, të garantojnë akses të barabartë për të gjithë gazetarët dhe të ndalojnë menjëherë praktika të tilla përjashtuese.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë do të vijojë të denoncojë çdo akt që cenon lirinë e medias dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtjen e profesionit dhe të interesit publik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:48
Konferenca e ministrit Jaupaj me gazetarë të përzgjedhur, Safe Journalists Albania: Cënon parimin e aksesit të barabartë në informacion, shmang llogaridhënien

1770735508_jaupaj.png

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj

Safe Journalists Network Albania ka reaguar për konferencën e zhvilluar ditën e sotme nga ministri i Mjedisit, Sofjan Japuaj, ku nuk kishte njoftuar paraprakisht mediat, por ishin vetëm gazetarë të ftuar personalisht nga ai, ose vartësit.

Sipas Safe Journalists Albania, organizimi i konferencave me ftesa selektive cënon parimin e aksesit të barabartë në informacion dhe përbën një mënyrë për të shmangur llogaridhënien publike.

Në deklaratë thuhet se transparenca dhe përgjegjshmëria institucionale kërkojnë konferenca të hapura, pa filtra dhe pa përjashtime arbitrare.

Deklarata

Shqetësim për mënyrën e organizimit të konferencës për shtyp nga Ministria e Mjedisit

SafeJournalists Network Albania shpreh shqetësim për mënyrën se si Ministria e Mjedisit, nën drejtimin e ministrit Sofjan Jaupaj, organizoi sot një konferencë zyrtare për shtyp, duke aplikuar përzgjedhje paraprake të gazetarëve dhe pa njoftim të hapur për median në tërësi.

Në një kontekst ku konferencat për shtyp me pyetje–përgjigje dhe ushtrim real të rolit mbikëqyrës të medias janë gjithnjë e më të rralla, organizimi i tyre me ftesa selektive cenon parimin e aksesit të barabartë në informacion dhe përbën një mënyrë për të shmangur llogaridhënien publike.

Transparenca dhe përgjegjshmëria institucionale kërkojnë konferenca të hapura, pa filtra dhe pa përjashtime arbitrare, në përputhje me standardet demokratike dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.