Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar incidentin e ndodhur në protestë, ku kamera e Report Tv u godit dhe u thye nga një bombol gazi e hedhur nga policia në bulevard. Operatori i Report Tv shpëtoi rastësisht nga bombola e gazit që u hodh drejt kameras.

Përmes një reagimi, AGSH shkruan se dëmtimi i pajisjeve të punës së gazetarëve dhe operatorëve përbën një cenim të rëndë të lirisë së medias, pengon dokumentimin e ngjarjeve dhe cenon të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Duke kërkuar hetim të menjëhershëm të incidentit dhe vënien para përgjegjësisë të efektivëve të përfshirë, AGSH shkruan se Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë e punonjësve të medias dhe të krijojë kushtet për ushtrimin e lirë të detyrës së tyre, pavarësisht situatës në terren.

Reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë:

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me forcë incidentin e radhës ndaj medias gjatë protestës së sotme në Tiranë.

Sipas informacioneve të raportuara, kamera e Report TV është thyer gjatë një ndërhyrjeje të Policisë së Shtetit, pasi është goditur nga efektivët e policisë.

Dëmtimi i pajisjeve të punës së gazetarëve dhe operatorëve përbën një cenim të rëndë të lirisë së medias, pengon dokumentimin e ngjarjeve dhe cenon të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

AGSH rikujton se Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë sigurinë e punonjësve të medias dhe të krijojë kushtet për ushtrimin e lirë të detyrës së tyre, pavarësisht situatës në terren.

AGSH kërkon hetim të menjëhershëm të këtij incidenti, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë së efektivëve të përfshirë, si dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar.

Asociacioni shpreh solidaritetin e plotë me ekipin e Report TV dhe u bën thirrje autoriteteve të ndalin çdo veprim që cenon sigurinë dhe punën e gazetarëve.

Pajisjet e medias nuk janë objektiva të operacioneve policore. Gazetarët dhe operatorët janë në terren për të informuar publikun dhe jo për t’u trajtuar si kundërshtarë të policisë.


Lajmi kryesor:

Protesta/ Bombola e gazit shkatërron kamerën e Report Tv, uji me presion merr para gazetarin Elkier Bushkolaj dhe operatorin! 6 përfaqësues të medias të lënduar! AGSH kërkon hetim (VIDEO)