Përpara zhvillimit të Takimit të 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), Ermal Nufi është takuar me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Nufi ka ndarë mesazhin e fortë se Kosova në NATO është nevojë strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, duke nënvizuar edhe vendosmërinë e Shqipërisë për ta mbështetur këtë aspiratë.

Mesazhi i plotë i Nufit:

"Selia e NATO-s, Bruksel --- Me homologun dhe mikun nga Kosova, Ejup Maqedonci, sot para Takimit të 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Kosova në NATO është nevojë strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Europë.

Këtë aspiratë, Shqipëria do ta mbështesë me vendosmëri, në çdo forum dhe në çdo nivel të bashkëpunimit euroatlantik.

Një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë edhe një Europë më e sigurt!"

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:40
Nufi në takimin e 37-të për Mbrojtjen e Ukrainës: Shqipëria mbështet paqen e drejtë dhe sovranitetin e Kievit

1794944996_nufi.JPG

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mori pjesë në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të zhvilluar në selinë e NATO-s në Bruksel, ku në fokus ishte vijimi i mbështetjes së koordinuar ndërkombëtare për Kievin përballë agresionit rus.

Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Nufi bëri të ditur se gjatë takimit u riafirmua angazhimi i vendeve pjesëmarrëse për të mbështetur Ukrainën, me synimin për t'i hapur rrugë përfundimit të luftës dhe arritjes së një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Ministri theksoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Ukrainën, duke e konsideruar këtë angazhim pjesë të përgjegjësive të saj si anëtare e NATO-s.

"Si një anëtare e përgjegjshme e NATO-s, Shqipëria e konsideron këtë si angazhim ndaj vlerave që na bashkojnë, ndaj së drejtës së një kombi për të mbrojtur lirinë dhe sovranitetin e tij, sikurse është një përgjegjësi e vendit tonë ndaj sigurisë kolektive dhe kontributit për një hapësirë euroatlantike më të sigurt.",- shkruan Nufi.

Takimi u zhvillua nën kujdesin e ministrit federal të Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, dhe sekretarit britanik të Shtetit për Mbrojtjen, Wes Streeting.