Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi vizitoi sot Prishtinën ku u takua me homologun Ejup Macedonci për të diskutuar për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes. Pas takimit ‘kokë më kokë’ të dy ministrat dhanë një konferencë për shtyp ku folën për forcimin e kapaciteteve ushtarake.
“Republika e Shqipërisë vazhdon të kontribuojë në FSK përmes trajnimeve, edukimit të pjesëtarëve tanë, por edhe përmes prezencës në kuadër të misionit të KFOR-it ku Republika e Shqipërisë luan rol të veçantë. Gjithashtu diskutuam mundësitë e thellimit të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, një sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm për kohën kur po jetojmë”, tha Maqedonci në fjalën e tij.
Ministri Nufi tha se Shqipëria qëndron krahë për krahë Kosovës që nga pavarësia dhe nënvizoi se bashkëpunimi ndër shtetëror është i domosdoshëm për ngritjen e kapaciteteve dhe garantimin e sigurisë.
“Sot thellimi i institucioneve demokratike të Kosovës, ngritja e bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar, forcimi i institucioneve dhe Republikës demokratike me prirje të qartë evropiane, bashkëpunimi sot nuk do të mund të ishte më i mirë”, tha ai.
I pyetur në lidhje me dërgimin e forcave ushtarake të Shqipërisë dhe Kosovës në Gaza si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Nufi tha se janë në proces të vlerësimit për detajet e këtij misioni.
“Jemi në faza shumë të hershme, akoma duke shqyrtuar dhe vëzhguar territorin ku mund të vendosen trupat tonë. Besojmë që në të ardhmen do të mund të japim një përgjigje të saktë se sa trupa do të shkojnë, ku do të shkojnë, cilat do të jenë rregullat e angazhimit në territor. Shqipëria ka një eksperiencë shumë vjeçare me angazhimin e misioneve ndërkombëtare duke filluar nga Afganistani, Iraku, Bosnja e shumë vende të tjera, kemi trupat tonë në Letoni dhe shumë vende të tejra të botës. Besoj që me angazhimin e përbashkët me FSK-në do të mund të bëjmë një vlerësim të situatës në terren dhe të marrim vendimarrjen”, tha ai
Nxitur nga vizita e fundit në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, Nufi garantoi se Shqipëria ka ngritur në Bruksel shqetësimin për sigurinë e Kosovës duke kërkuar vazhdimin e angazhimit të partneritetit të Kosovës me forcat e KFOR-it.
“Shqipëria ka ngritur shqetësimin e sigurisë së Kosovës, duke theksuar se situata e sigurisë së Kosovës është e drejtpërdrejtë për Shqipërinë. Çdo shqetësim i Kosovës sjellë shqetësim për Shqipërinë. Në të dyja takimet u informuam që nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket angazhimit të KFOR-it në Kosovë”, tha ai.
Nufi pati një mesazh edhe për armatimin e Serbisë
“Sa i përket armatimit të Serbisë, ajo i vendos çështjet e saj vet. Shqipëria si anëtare e NATO-s, por edhe Kosova për sa kohë ka misionin e KFOR-it këtu dhe advokimin që Qeveria e Kosovës e bën me sigurinë, të gjitha strategjitë e sigurisë i ka në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n”, tha ai.
Komente










