Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka zhvilluar sot një takim në Bruksel me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO, Giuseppe Cavo Dragone, ku në fokus ka qenë forcimi i bashkëpunimit dhe siguria në rajon.
Takimi vjen në kuadër të rritjes së dialogut strategjik mes Shqipërisë dhe Aleancës.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ka qenë situata në Kosovë dhe roli i KFOR-it në garantimin e stabilitetit dhe paqes.
Në tryezë ishin edhe projekte strategjike si Korridori VIII dhe zhvillimi i Porto Romanos, që konsiderohen thelbësore për interesat kombëtare dhe rajonale, me mbështetjen e mëtejshme të NATO-s.
Nufi gjithashtu ka rikonfirmuar se Shqipëria mbetet e angazhuar fort në Aleancën Euroatlantike, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
“Takim i rëndësishëm me Giuseppe Cavo Dragone, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO, në funksion të forcimit të dialogut strategjik dhe thellimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me Aleancën në çdo nivel. Vëmendje e veçantë ndaj Kosovës dhe rolit të KFOR në garantimin e stabilitetit dhe paqes. Roli strategjik të Korridori VIII dhe zhvillimi i Porto Romanos me mbështetjen e mëtejshme nga Aleanca, i rendësishëm për avancimin e projekteve me rëndësi kombëtare dhe rajonale. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej rolin e saj në NATO, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.”, ka shkruar Nufi në rrjetet sociale.
Një ditë më parë, Nufi u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin diskutuan për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe luftën në Ukrainë.
Komente










