TIRANE - Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, e ka shprehur hapur gëzimin e tij për shpalljen fajtor të deputetit socialist Taulant Balla nga Gjykata e Tiranës. “Jam i kënaqur me verdiktin e Gjykatës që shpalli gënjeshtra dhe shpifje deklaratat e Ballës kundrejt meje, të tetorit 2011. Edhe pse dëmshpërbilimi i caktuar nga Gjykata ishte i ulët dhe prandaj jo dekurajues për shpifës të tjerë si Balla, ajo sasi parash do t’i kalojë Kryqit të Kuq Shqiptar.”

Sot, gjykata e Tiranës, me gjyqtar Bledar Abdullain pranoi padinë e Ministrit për Inovacionin Genc Pollo kundrejt deputetit të Partisë Socialiste Taulant Balla.

Ministria e Inovacionit e ka publikuar  vetë lajmin. Sipas saj, "në vendimin e Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Tiranë shkruhet ndër të tjera se fjala e mbajtur nga i padituri Balla në Kuvend më 20 tetor 2011 “...mbart pavërtetësi dhe është pasqyruar si në mediat vizive ashtu edhe në ato shkruara. Në këtë konkluzion përfundimtar Gjykata arrin në bazë të arsyetimit si më poshtë vijon: Provohet në gjykim se, nga pikëpamja ligjore, fjala e të paditurit Balla në interpelancë për nga mënyra se si i është ofruar publikut përbën veprim të kundraligjshëm dhe të kryer me faj; veprim ky i cili çmohet nga kjo Gjykatë se ka dëmtuar imazhin e paditësit, duke i shkaktuar atij dëm konkret moral të shfaqur në drejtim të dëmtimit të nderit dhe të personalitetit të tij, si dhe një dëm të pësuar në sferën shoqërore; çka sipas Kodit Civil sjell përgjegjësi juridike civile për të paditurin Balla për shpërblimin e këtij dëmi.

Më tej në vendimin e gjykatës Tiranë thuhet: “Më konkretisht Gjykata konkludon se në rastin konkret i padituri Taulant Balla ka konsumuar të katër elementët e kësaj përgjegjësie sikundër janë: kundërligjshmëria e veprimeve të shkaktuesit të dëmit; dëmi i shkaktuar; fajësia e shkaktuesit të dëmit; lidhja kauzale (shkak-pasojë) midis veprimeve të kundraligjshme të shkaktuesit të dëmit dhe pasojës së ardhur nga këto veprime. Gjykata verën se nga përmbajtja e fjalës së të paditurit Balla në interpelancë rezulton se shprehjet e përmbajtura në të nuk janë të vërteta.”

Avokatja e zotit Pollo Znj. Iva Harka tha se: “Ne po shqyrtojmë mundësinë e apelimit të këtij vendimi lidhur me masën e dëmshpërblimit”, përfundon njoftimi i ministrisë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)