Gjatë një vizite në një pulari në Kavajë, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi se Shqipëria ka përmbushur standardet e kërkuara dhe tashmë ka hyrë në fazën e eksportit të vezëve të “Kategorisë A”.
Sipas tij, pas dakordësimit me Bashkimin Europian, prodhuesit shqiptarë kanë mundësi reale për të hyrë në tregjet ndërkombëtare, duke eksportuar produkte që plotësojnë kriteret më të larta të sigurisë ushqimore dhe cilësisë.
“Shqipëria tashmë është gati dhe ka nisur eksportin e vezëve të kategorisë ‘A’, duke shënuar një hap konkret drejt rritjes së eksporteve bujqësore,” u shpreh ministri gjatë inspektimit në terren.
Ai theksoi se ky zhvillim është rezultat i përmirësimit të standardeve në sektorin e shpendarisë, duke përfshirë kontrollin veterinar, gjurmueshmërinë dhe kushtet e mirëqenies së kafshëve, të cilat kanë qenë kyçe për hapjen e tregjeve të BE-së.
Në të njëjtën kohë, ministri njoftoi edhe hapjen e aplikimeve për mbështetje financiare nga AZHBR, duke ftuar fermerët dhe sipërmarrësit të aplikojnë për të përfituar nga skemat mbështetëse.
Këto skema synojnë të rrisin kapacitetet prodhuese, të përmirësojnë standardet dhe të forcojnë më tej pozicionin e Shqipërisë në tregjet eksportuese.
Vizita në pularinë e Kavajës u konsiderua si një dëshmi konkrete e potencialit të sektorit, ndërsa u theksua se tashmë fokusi kalon nga përmbushja e standardeve, tek zgjerimi i eksporteve dhe rritja e konkurrueshmërisë.
Komente










