Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, drejtuesin politik të qarkut Dibër, Ulsi Manja, dhe Kryetarin e Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, zhvilluan një bashkëbisedim me fermerët e zonës, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”.

Takimi u fokusua në rritjen e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja për mbështetjen e sektorit dhe përpjekjet për arritjen e standardeve të prodhimit sipas kërkesave të tregut të Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Salla theksoi rëndësinë e organizimit të fermerëve përmes Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), duke e cilësuar modelin e Dibrës si një shembull konkret suksesi, veçanërisht në sektorin e fruta-perimeve.

“Kemi filluar tashmë me modele konkrete në Dibër, ku përmes SHBB-ve fermerët bashkohen dhe krijojnë më shumë vlerë për prodhimin e tyre,” u shpreh ai, teksa bëri të ditur se ky projekt mbështetet nga Ministria e Bujqësisë dhe nga Banka Botërore, ndërsa tashmë janë lidhur kontrata me subjekte që grumbullojnë dhe tregtojnë prodhimet përmes këtyre strukturave.

Ministri Salla nënvizoi gjithashtu rëndësinë e teknologjisë në bujqësi, duke theksuar se në Dibër po zbatohet një model pilot me sensorë inteligjentë që monitorojnë sipërfaqet bujqësore në kohë reale.

Sipas Ministrit Salla, këta sensorë japin informacion për vaditjen, spërkatjen, plehërimin dhe kushtet atmosferike, ndërsa synohet që ky sistem të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke u ofruar fermerëve akses në të dhëna përmes telefonit ose aplikacioneve digjitale.

Ministri prezantoi gjithashtu risitë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për bujqësinë, duke bërë të ditur se buxheti i saj është 5.2 miliardë lekë dhe përfshin mbështetje për një gamë të gjerë sektorësh.

Në sektorin e bletarisë, Ministri Salla tha se subvencioni për koshere është dyfishuar nga 10 mijë lekë në 20 mijë lekë, ndërsa theksoi se mbështetja është zgjeruar edhe për blegtorinë, duke ulur pragun minimal të përfitimit nga 100 në 50 krerë, si dhe duke rritur subvencionet për bagëtitë.

Ministri Salla informoi gjithashtu për mbështetjen për ndërtimin e staneve deri në 30 mijë euro, si dhe grantet deri në 10 mijë euro për të rinjtë që duan të investojnë në bujqësi, me qëllim nxitjen e sipërmarrjes së re në zonat rurale.

Më tej, Ministri Salla bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar janë mbështetur rreth 440 aplikime në sektorë të ndryshëm, përfshirë mekanizimin bujqësor dhe agroturizmin, ndërsa këtë vit fondi i përgjithshëm arrin në 52 milionë euro.

Salla theksoi gjithashtu rëndësinë e formalizimit të shitjeve përmes faturimit, duke nënvizuar se fermerët do të përfitojnë kompensim financiar në bazë të sipërfaqes së punuar dhe të produkteve të tregtuara, proces që ka nisur nga 1 janari dhe do të vijojë deri më 31 dhjetor.

Ministri theksoi se ngritja e mëtejshme e strukturave të përbashkëta të fermerëve dhe modernizimi i prodhimit do të ndihmojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga tregu i Bashkimit Europian.