Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka nisur sot nga Librazhdi turin e dëgjesave me fermerët në kuadër të hartimit të Skemës Kombëtare 2026, me synim ndërtimin e një skeme mbështetëse të bazuar në nevojat reale të terrenit dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, Ministri Salla theksoi se hartimi i Skemës Kombëtare 2026 po bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse.
“Sot nisëm turin e dëgjesave me fermerët për të ndërtuar Skemën Kombëtare 2026 bashkë me ta, mbi nevojat reale të terrenit dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian,” u shpreh ai.
Ministri bëri me dije se pas mbështetjes për mbi 65 mijë fermerë përmes Skemës Kombëtare 2025, Skema 2026 do të ketë një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, ose 16% më të lartë krahasuar me një vit më parë. Sipas tij, kjo skemë do të rikonceptohet në funksion të vizionit afatgjatë të zhvillimit të sektorit bujqësor.
“Skema Kombëtare 2026 do të rikonceptohet, në linjë me vizionin Bujqësia2030,” theksoi Ministri Salla.
Në përfundim, ai nënvizoi se fermeri mbetet në qendër të politikave publike.
“Çdo lek publik duhet të përkthehet në më shumë prodhim, më shumë cilësi dhe më shumë konkurrueshmëri, për një bujqësi moderne, të qëndrueshme dhe europiane,” deklaroi ministri.
Në këtë takim ishin të pranishëm Drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, si dhe Kryetari i Bashkisë Prrenjas, Nuri Belba.
Turi i dëgjesave me fermerët do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, duke synuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve bujqësore në hartimin e Skemës Kombëtare 2026.
Komente












