NACO: KUNDER ARMEVE KIMIKE, JAM PRIND NE RRADHE TE PARE
Në përfundim të Konferencës Rajonale të Lidershipit në Gjyqësor, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço i është përgjigjur interes të gazetarëve lidhur me cështjen e importimit të armëve kimike në Shqipëri. Ministri Naço theksoi se nëse projekti që do t’i paraqitej, do të binte ndesh me interesat e të gjithë shqiptarëve atëherë ai nuk do të guxonte kurrë ta votonte.
“Unë kam po aq informacion sa keni edhe ju , sa kanë të gjithë qytetarët, se është diskutuar për një çarmatosje të qeverisë së Asadit, të Sirisë. Sigurisht që jemi një vend anëtar i NATO-s dhe kemi të drejta dhe detyrime ndaj një vendi anëtar në NATO. Besoj se kur kemi hyrë në NATO jemi gëzuar të gjithë dhe dikush ka marrë edhe flamurin në atë kohë dhe thoshte që ne e bëmë dhe sot dalin në protestë.
Sigurisht që ne jemi të vëmendshëm ndaj të gjithë zhvillimeve që ndodhin. Unë para se të jem deputet dhe ministër jam qytetar i këtij vendi, nuk kam nënshtetësi të dyfishtë, nuk kam ndërmend ndonjëherë të iki nga Shqipëria, fëmijët e mi do të rriten këtu dhe unë nuk do të guxoj që t’ju bëj keq fëmijëve të mi, as atyre që më kanë zgjedhur por as qytetarëve të tjerë”.
Ministri Naço bëri edhe njëherë me dije se ne jemi një vend anëtar i NATOS-s, që kemi detyrime por në asnjë rast, qoftë si qytetar, qoftë edhe si deputet apo edhe si Ministër ai nuk do të guxonte të votonte një projekt i cili mund të binte ndesh me interesat e të gjithë shqiptarëve.
TAHIRI: JEMI QEVERIA QE FITOI PER POPULLIN
Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka deklaruar në profilin e tij në Facebook se, kryeministri Edi Rama do të marrë vendimin e duhur për popullin dhe vendin e vet. “Vendi mund të ketë shpatulla të vogla për të mbajtur një barrë kaq të madhe. Por opozita e Sali Berishës i ka shpatullat shumë më të vogla për tu ringjallur nëpërmjet Asadit”, shkruan Tahiri.
Sipas Tahirit, “jemi shoqërisht të papërgatitur për ti dhënë vendit mundësinë të mbajë përgjegjësi së bashku me partnerët ndërkombëtarë”.
Ndërkohë Fatmir Mediu bën thirrje të mos përsëritet Gërdeci!!! Ndërkohë Sali Berisha, njeriu që nuk dinte ku binte Gërdeci, madje që nuk dinte as që kishte një baxhanak që i vdiq në Gërdec, dika me siguri që Edi Rama ka marrë vendim për të thënë PO!!!”, shkruan ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Sipas Tahirit, “ky është një moment kritik në historinë e një vendi. Por një moment që na nxorri të gjithëve ca mësime në kokë. E për më tepër, të gjithëve të papërgatitur e shumë larg pritshmërisë për vendin që duam e ëndërrojmë”.
Jam absolutisht i bindur se Kryeministri Rama do marri vendimin e duhur, për popullin dhe vendin e vet. Jemi qeveria që fitoi për popullin, dhe e tillë do jemi deri në fund. Pavarësisht se kemi dhe opozitën që populli nuk përton ta marrë me shkelma përsëri, siç bëri dhe dje”, përfundon mesazhi i ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)