Deklarata e Ministrit të Brendshëm u bë nga foltorja e Kuvendit gjatë një debati me opozitën. Ministri Tahiri në fjalën e tij tha se Shqup-it (selia e Partise Demokratike) pas nje milione shuplakave të marra me 23 qershor nuk i ka mbetur asgjë tjetër për të bërë veç se të shpife. "Në 23 qershor 2013 votat e qytetarëve i dhanë një shuplakë qeverisë së shkuar për t'u ndarë nga modeli i vrerit dhe ky model i vrerit flet pa pikë përgjegjësie edhe këtu në sallën e Kuvendit. Qytetarët shqiptarë na besuan drejtimin e vendit për të luftuar paligjshmërine, krimin, korrupsionin, shpifjet, për të rilindur kështu gëzimin e qytetarëve, duke punuar për një Shqipëri që ecën në shinat e ligjit, për të ofruar siguri dhe për të qenë bashkarisht përballë ndaj krimit të organizuar", tha Tahiri.
Ministri i Brendshëm tha se në 18 muaj qeveri, Policia ka rilindur dhe ka larguar prej vetes qelbëzimet e së shkuarës. "Policia e Shtetit në më pak se dy vite punë ka shembur murin e papërgjegjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë për zyrtarët. Këta zyrtarë, vijoi Tahiri, që dje nuk shkuleshin nga karriget e tyre, edhe sikur këmbët e karriges të thyeshin, madje edhe vrisnin për të ruajtur pozicionin e tyre, nuk mbanin asnjë përgjegjësi për këtë. Sot, falë punës dhe modelit të frymëzuar nga rilindja, Policia e Shtetit nuk ka më frikë të përballet me paligjshmërinë, përkundrazi e lufton ballë për ballë", tha kreu i Ministrisë së Brendshme.
Ministri Tahiri gjithashtu solli ndërmend edhe rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit. "Në 18 muaj punë kemi ndërhyrë në Lazarat, ku droga ishe pyllëzuar. Shifrat vërtetojnë këtë, pasi ne kemi kapur disa herë më shumë drogë se ju në 8 vite të qeverisjes suaj. Në tre muajt e parë të 2015-ës kemi përgjysmuar numrin e vrasjeve po ta krahasojmë me një vit më parë. Sot kemi zyrtare të ndaluar, pasi urdhërat e prokurorisë dhe gjykatës zbatohen", vijoi ministri i Tahiri, i cili shtoi se sot ka pushtetar të prekshëm, ndërsa dje pushtetare të paprekshëm.
Në fund, ministri i Brendshëm theksoi se "për të rritur edhe më tej forcën e policisë dhe për të arritur rezultate edhe më të mira, dje nisëm punën e përbashkët me Byronë Federale të Hetimit (FBI) për të ngritur Byronë Kombëtare të Hetimit në vendin tonë. Një Byro që do hetoje informalitetin, krimin, korrupsionin, për të mbërritur në rezultate që ju as që i keni menduar ndonjëherë", përfundoi Tahiri. /