Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka dalë para mikrofonave të gazetarëve në qytetin e Vlorës. Në fjalën e tij Xhafaj është shprehur se Vlora ka prioritetin e forcave policore për shkak të fluksit të turistëve.

Vlora ka vëmendjen e shtuar të qeverisë këtë sezon përsa i përket potencialeve dhe fluksit turistëve që ka.  Të gjithë antarët e kabinetit qeveritar janë shpërndarë për të kryer detyrat e tyre. Unë, kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë jemi caktuar këtu. Arsyeja tjetër pse jam këtu është takimi me drejtorët e departamenteve të policisë. Në Vlorë për sezonin kemi sjellë më shumë forca policore. Të gjitha këto kanë të bëjnë më sigurinë dhe me një shërbim më të mirë. 

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm

I pyetur për trafikun e lëndëve narkotike dhe njerëzore Xhafaj u përgjigj se edhe pse ka filluar frenimi sërish duhet të tregohemi të kujdeshëm.

Ende ka vend për kujdes të shtuar për frenimin e trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore. Ne mbetemi të kujdesshëm. Por zona e Vlorës ka rezultate të pakrahasueshme në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo është meritë e strukturave policore. Di të them që ky do të jetë viti i zero kultivimit të kanabisit.

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm

Gjatë fjalës së tij Xhafaj foli për ngjarjen në disko Havana duke u shprehur se ishte një ngjarje e rëndë, e cila pritet të zgjidhet nga drejtësia. Në fund Xhafaj kishte një apel edhe për gazetarët:

Mos nguroni. Denonconi dhe jepni lajmet. Jepini ashtu siç janë por mos amplifikoni sepse krijoni panik mes njerëzve.

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm