Cdo biznes që gjendet në vështirësi mund të aplikojë për ndihmë nga qeveria. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë publike rastet kur subjektet mund të aplikojnë për mbështetje nga shteti dhe kushtet që duhet të plotësojnë për të marrë ndihmë për shpëtim, apo ristrukturim.

“Ndihma për shpëtim është një mbështetje financiare për një ndërmarrje në vështirësi, për një periudhë kohore gjatë së cilës duhet të përgatitet plani i ristrukturimit ose i likuidimit. Ndihma për shpëtim, në mënyrë që të miratohet, duhet të jepet në likuiditet, në formën e huave ose garancive të huave, me çmimin e tregut, të justifikohet për shkak të vështirësive serioze sociale, dhe të mos sjellë efekte negative mbi mjedisin konkurrues. Ndihma për shpëtim jepet për gjashtë muaj dhe mund të zgjatet në rrethana të jashtëzakonshme” thekson Ministria e Ekonomisë në paketën ku shtjellom legjislacionin për ndihmën shtetërore ndaj subjekteve në vështirësi.

6 muaj 
Ndihma për ristrukturim është një mbështetje financiare, që jepet për ristrukturimin e veprimtarisë së një ndërmarrjeje dhe sigurimin, brenda një periudhe të arsyeshme, të rentabilitetit afatgjatë të saj. Në mënyrë që ndihma për ristrukturim të miratohet, duhet që dhënësi të paraqesë një plan rentabël ristrukturimi, vlera dhe intensiteti i ndihmës të kufizohet deri në kostot e nevojshme dhe përfituesi duhet të mbulojë pjesën më të madhe të kostos me burimet e veta.

Çfarë është ndihma shtetërore?

Ndihma shtetërore është avantazh i çfaredo lloj forme që i jepet në mënyrë selektive ndërmarrjeve nga të gjitha organet dhe institucionet e administratës shtetërore. Kjo do të thotë se, subvencionet që akordohen për individë apo masat e përgjithshme që ofrohen për të gjitha ndërmarrjet nuk përbëjnë ndihmë shtetërore (si p.sh. taksimi i përgjithshëm apo legjislacioni i punësimit).


Një mbështetje shtetërore është ndihmë shtetërore, atëherë kur: shteti ofron burime shtetërore në forma të ndryshme (p.sh. grante, lehtësi tatimore, garanci shtetërore, aktive të prekshme/paprekshme të organeve dhe institucioneve të administratës shtetërore, mallra dhe shërbime në kushte të favorshme, etj); i jep avantazh një ndërmarrje në mënyrë selektive (një ndërmarrje apo sektori të veçantë të industrisë, ose ndërmarrje të vendosura në zona të caktuara);
konkurrenca është shtrembëruar ose mund të shtrembërohet;ka shumë të ngjarë të ndikojë në tregtinë midis vendeve.

Ekzistojnë disa raste kur ndërhyrja e organeve dhe institucioneve të administratës shtetërore është e nevojshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Për këtë arsye legjislacioni ka parashikuar lejimin e ndihmës shtetërore.

Redaksia online
(Shqiptarja.com)