Ministria e Arsimit ka identifikuar dhe goditur një “universitet fantazëm” që ishte publikuar dhe reklamuar prej javësh në rrugët e kryeqytetit.

“City University” ishte institucioni arsimor që prej disa kohësh ftonte studentët për të ndjekur studimet universitare, ndërkohë që godina në të cilën do të zhvillohej procesi mësimor do t’i përkiste një tjetër institucioni arsimor të mbyllur nga qeveria, Universitetit Kristal.

Ministria e Arsimit pak ditë më parë i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar që të heqë të gjitha reklamat e këtij subjekti nga stendat e afishimit që janë në administrim të Bashkisë, pasi dizinformojnë publikun.

Drejtuesit e ministrisë së arsimit njoftojnë publikun se, pas monitorimit të ligjshmërisë së aktivitetit të këtij subjekti, u mësua se ky universitet nuk është licencuar për të ofruar shërbim në fushën e edukimit në territorin shqiptar.

“Subjekti në fjalë ka aplikuar për licencë pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit, për të hapur një institucion parauniversitar plotësues, por akoma nuk është licencuar për këtë qëllim.

Ky subjekt, ka ndërtuar një faqe interneti www.cityu. al e cila nuk shpjegon qartë se çfarë ofron ky institucion në të vërtetë dhe ndërkohë ofron aplikacionin për aplikim online të menjëhershëm për regjistrim në kurse. Grupi i punës nga MAS i bëri me dije drejtuesve, se nuk mund të reklamojnë në faqen e internetit, të pavërteta.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print 

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)