TIRANË- Ministria e Brendshme i është "ankuar" Prokurorisë së Përgjithshme për mungesën e lëndës narkotike të nevojshme për të trajnuar qentë. Për këtë arsye, Kryeprokurori Olsian Çela u ka dërguar një letër drejtuesve të prokurorive për të pasur me tepër bashkëpunim me uniformat blu.

Në letrën që mban datën 14 janar të vitit 2020, siguruar nga gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra, Çela u ka kërkuar prokurorëve që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me policinë për të gjitha rastet për t'i informuar mbi çështje ku janë sekuestruar lëndë narkotike, që të mos asgjësohet, por t'u vihet atyre në dispozicion.

“Ministria e Brendshme ka ngritur shqetësimin në lidhje me mungesën e lëndës narkotike për nevoja të trajnimit të qenve të shërbimit policor. Drejtuesit e prokurorisë të mbajnë komunikime me strukturat e policisë, për ti informuar mbi çështje të dërguara në gjykatë ku janë sekuestruar lëndë narkotike”, thuhet në letër. 

Si stërviten qentë me drogë? Qentë çdo ditë bëjnë stërvitje për të mos humbur aftësitë apo reflekset. Ata duhet të jenë në kontakt me drogën, kufomat, eksplozivin apo eurot, në mënyrë që të mos harrojnë erën e tyre. Kur dalin në aksion, qentë e dinë se çfarë duhet të kërkojnë. Në momentin që ai ndien erën e drogës dhe lëndëve të tjera, që është specializuar, ulet aty dhe nuk lëviz deri sa policia ta gjejë. 

Letra e ministrisë së Brendshme