TIRANË- “Administrimi i 18.076 ha tokë bujqësore, jo vetëm nuk bie ndesh, por është në interes të ish pronarëve”. Kështu ka reaguar përmes një deklarate Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, pas deklaratës së deputetes së Partistë Demokratike, për zhvlerësim të kësaj sipërfaqeje.
 
“Prej vitesh kjo tokë bujqësore është zhvlerësuar dhe po degradon pandalur nga mungesa e investimeve”, kundërpërgjigjet Ministria e Bujqësisë.
 
“Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave edhe njëherë sqaron se kalimi në administrim të saj, të 18.076 ha tokë bujqësore, jo vetëm nuk bie ndesh, por është në interes të ish pronarëve. Prej vitesh kjo tokë bujqësore është zhvlerësuar dhe po degradon pandalur nga mungesa e investimeve. Asnjë metër katror i kësaj toke nuk u është kthyer pronarëve në gjithë këto vite, as nga qeverisja demokratike. Veç kësaj kjo tokë ështe e vazhdon të jetë pre e ndërhyrjeve abuzive të kundërligjshme.
 
Duke e marrë këtë fond toke në administrim, Qeveria shqiptare angazhohet që me investime të mirëmenduara, të fusë këtë tokë në prodhim për krijim të ardhurash dhe vende pune. Nga të ardhurat e krijuara do të përfitojnë edhe pronarët, duke rritur kuotën e kompensimit financiar të tyre. Nuk është e vërtetë se ish pronarët do të mbeten pa kompesim fizik. Qeveria shumë shpejt do të vendosë në dispozicion të kompesimit fizik të pronarëve, sipërfaqe të tjera toke duke u mbështetur në kriteret e barazvlerës”, vërehet në deklaratën e Ministrisë së Bujqësisë.
 
“Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku ka reaguar sot për vendimin e Qeverisë një javë më parë, lidhur me kalimin në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të rreth 18 mijë hektarëve tokë. Siç duket Partia Demokratike nuk ka marrë aspak parasysh, ose nuk e ka lexuar, qëndrimin sqarues të Ministrisë së Bujqësisë lidhur me këtë çështje, ditën kur u miratua ky vendim i Qeverisë”, vijohet më tej nga Ministria e Bujqësisë.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)