Pas 9 ditësh, transporti publik është rikthyer në Prishtinë. Trafiku Urban dhe transportuesit privatë kanë nisur sot operimin me orar të rregullt pasi ministria e Financave alokoi fondet në buxhetin e komunës së Prishtinës.

“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë me të cilat qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe i falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, tha në një njoftim ndërmarrja publike komunale “Trafiku Urban” .

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëri të ditur se kishte alokuar mjetet financiare në vlerë prej 2.7 milionë eurosh për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, fond që i dedikohet pagesës së operatorëve të transportit publik në Prishtinë.

Më 24 nëntor, transportuesit privatë në Prishtinë dolën në protestë pas bllokimit të transportit duke kërkuar pagesat. Një grevë disa orëshe zhvilluan edhe punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Për 9 ditë në kryeqytetin e Kosovës nuk ka pasur transport publik, duke krijuar kështu vështirësi për qytetarët për të qarkulluar në qytet dhe përreth.