Deputeti i Partisë Demokratike Eno Bozdo, denoncoi se dhjetëra bizneseve po i kërkohet të shlyejnë detyrime të vjetra tatimore, të cilat janë falur ose fshirë përmes ligjit të miratuar prej 4 muajsh nga Kuvendi, ai për shuarjen e detyrimeve tatimore.
Shkaku sipas tij, qëndron te Ministria e Financave, e cila nuk ka nxjerrë aktet nënligjore të domosdoshme për zbatimin e këtij ligji.
“Mungesa e akteve nënligjore ka hapur rrugën për abuzivitet dhe presion nga ana e strukturave tatimore ndaj bizneseve, duke u dhënë atyre hapësirë për trajtime arbitrare, për interpretime selektive dhe për ushtrim presioni financiar mbi sipërmarrjen”, tha Bozdo.
Sipas nën/kryetarit të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, gjatë procesit të shqyrtimit të nismave, deputetët e PD-së propozuan amendime konkrete për të përcaktuar mekanizma kontrolli dhe transparencë mbi subjektet përfituese, por që u rrëzuan nga mazhoranca.
“Administrata vepron pa rregulla të qarta, bizneset ndëshkohen dhe vullneti i Parlamentit shpërfillet. Ky është një rast tipik dhe skandaloz ku administrata është bërë më e fortë se Kuvendi”, vijon Bozdo.
Në këto kushte, deputeti Eno Bozdo, i bën thirrje bizneseve të refuzojnë çdo kërkesë të administratës tatimore.
“Kërkoj publikisht nxjerrjen e menjëhershme të të gjitha akteve nënligjore për zbatimin e këtij kuadri ligjor, ndalimin e çdo veprimi tatimor për detyrime të falura me ligj, transparencë të plotë mbi zbatimin dhe subjektet përfituese, si dhe përgjegjësi politike dhe administrative për këtë sabotim të hapur të ligjit”, tha Bozdo.
Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi më 30 mars, se aktet nënligjore janë dërguar për opinion tek ndërkombëtarët, për shkak të kritikave që ata kanë pasur për ligjin e miratura në 12 dhjetor 2025, dhe pasi të marrin përgjigje do të nisë zbatimi.
Ligji i fshirjes së borxheve parashikon që çdo detyrim i biznesit i krijuar deri në fund të 2014-ës të shuhet.
Për borxhet nga viti 2015 deri në 2020-ën, nëse 50% e tyre paguhet me një këst deri në qershor 2026, gjysma tjetër falet bashkë me gjobat e kamatat. Ndërsa në pagesa ndahet në disa këste dhe zgjatet deri në dhjetor 2026, falet vetëm 25 përqind e detyrimit.
Kurse për borxhet nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, falen gjoba dhe kamata nëse paguhet detyrimi tatimor brenda vitit 2026.
Ky ligj nuk prek, detyrimet tatimore të krijuar nga 2025-a, e tutje.
Komente










