TIRANE- Ministria e Kulturës, ka dhënë 9 ditë më parë një tender pa garë dhe pa asnjë njoftim paraprak, me vlerë 1.4 milionë USD. Përveç mungesës së konkurrencës, pasi kompania AGI KONS është shpallur fituese përmes negocimit, tenderi ka si objekt kryerjen e disa punimeve shtesë në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, për rikonstruksionin të cilit sapo kishin përfunduar punimet. Për rikonstruksionin e të njëjtit objekt Ministria e Kulturës ka lidhur një kontratë me të njëjtën kompani, me vlerë rreth 9 milionë USD. Kontrata e parë ka përfunduar në qershor të vitit 2019. Disa muaj më vonë befas, ministria shpall fituese të njëjtën kompani, për punime shtesë në këtë teatër, por tashmë pa njoftim dhe pa garë. 

Fondi limimit për punimet shtesë, sipas dokumentacionit ishte 165,097,640 lekë (pa TVSH). Ndërkaq, oferta e AGI KONS, e shpallur fituese, është 165,083,333 lekë, ose rreth 1.4 milionë USD. Diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është vetëm 14 307 lekë. Pra, nga negocimi paraprak i përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës janë kursyer vetëm 14 307 lekë. Diferenca e papërfillshme mes fondit limit dhe ofertës fituese është prodhuar pikërisht nga lloji i procedurës së ndjekur, që eviton konkurrencën. 

Kompania fituese do të kryejë instalimet elektrike dhe disa ndërhyrje të tjera, por pyetja që ngrihet është se pse këto punime, nuk u parashikuan në kontratën e parë që sapo ka përfunduar së zbatuari, por ministria kujtohet tani, duke shpenzuar edhe 1.4 milionë USD në një procedurë pa konkurrencë, në formën e shtesës së kontratës? Punimet shtesë ishin të parashikuara dhe mund të përfshiheshin në kontratën e parë. Dihet se instalimet kryhen pas rikonstruksionit. 

Një procedurë e tillë nuk është e paligjshme, por kjo procedurë jo e zakonshme, shoqërohet zakonisht me një pikëpyetje të madhe dhe flamur të kuq, pasi tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për abuzim. Ligji për prokurimin publik, neni 58/8, pika 4 shkronja ‘a’, lejon procedurën me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, për punime apo shërbime shtesë. 

Por, ligji thekson se kjo procedurë lejohet vetëm për punime shtesë të cilat nuk kanë qenë të përfshira në kontratën fillestare, por që, nëpërmjet rrethanave të paparashikuara, bëhen të domosdoshme për ecurinë e punimeve apo të shërbimeve, të përshkruara në kontratë, me kusht që kontrata të lidhet me operatorin ekonomik, i cili është duke i kryer këto punime apo shërbime, për sa kohë që vlera e përgjithshme e kontratave të lidhura për punimet dhe shërbimet shtesë nuk duhet të kalojë 20 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratës fillestare.

A është një rrethanë e paparashikuar nga Ministria e Kulturës së në teatër duhen të bëhen edhe instalimet elektrike?!

Kompania AGI KONS lidhet me emrin e biznesmenit Gentian Sula. Kompania është themeluar në vitin 2002 dhe si objekt ka veprimtarinë në fushën e ndërtimit. Fillimisht Gentian Sula kishte 50 % të aksioneve. Më pas Sula merr 100 % të aksioneve. Në vitin 2017 ia shet aksionet Elvis Sulës, i cili bëhet ortak i vetëm. Në vitin 2008, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka lidhur një kontratë pikerisht me AGI KONS të Gentian Sulës, për ndërtimin e një pallati në Laprakë, në tokën me sipërfaqe 1900 m2, ku Kryemadhi do të përfitonte 35 % për qind të pallatit. Bëhet fjalë për pallatin e famshëm të përmendur edhe nga Ilir Meta, nga i cili deri më tani Kryemadhi ka shitur disa apartamente me vlerë mbi 850 mijë euro. 

Po si qëndron historia e rehabilitimit të Teatrit Kombëtar të Operas, për të ardhur tek tenderi me fitues të paracaktuar? Në shtator të 2016, Ministria e Kulturës, në atë kohë me në krye Mirela Kumbaron, prezantoi projektin për rehabilitimin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor. Një muaj më vonë, për zbatimin e projektit u kontraktuan kompanitë ndërtimit AGI KONS dhe EDIL AL-IT. Vlera e tenderit ishte rreth 1 miliard lekë ose rreth 9 milionë USD. Përfundimi i punimeve ishte parashikuar në qershor të vitit 2019.