Ministritë/Rama paralajmëron:
Shkurtim drastik të punonjësve

Ministritë/Rama paralajmëron:<br />Shkurtim drastik të punonjësve
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dje nga Vlora shkurtime drastike të burimeve njerëzore nëpër ministri. I pyetur mbi bashkimin e disa ministrave, kryeministri Rama tha se nuk do të ketë federatë ministrish, por bashkimi synon shkurtimin e administratës. Kryeministri theksoi se, bashkimi i dikastereve nuk është mekanik, ndërsa shtoi se numri i punonjësve do të shkurtohet.

“Nuk do të thotë që do bashkohen mekanikisht të gjitha bashkë e të jenë si federatë ministrish. Do jetë një ministri, kështu që do funksionoje si një ministri dhe faktikisht numri do shkurtohet në mënyrë drastike”, tha Rama. Kryeministri sqaroi arsyet dhe rrethanat e reformës radikale në strukturat qeverisëse, teksa pohoi se numri i lartë i drejtorëve është krijuar thjesht për të bërë qoka.

Lënien e Saimir Tahirit jashtë qeverisë, Rama e shpjegoi me domosdoshmërinë e forcimit të grupit parlamentar të PS, i cili duhet ta mbajë nën presion qeverinë. I pyetur mbi paralajmërimet e Ilir Metës gjatë fushatës se nuk do të dekretojë një qeveri e dalë nga zgjedhje të deformuara, Rama shprehu bindjen se dekretimi i qeverisë nga Presidenti Menta as që diskutohet. Kryeministri u shpreh i hapur për bashkëpunim me PDIU si dhe për të ndryshuar hartën territoriale të bashkive.
 
Pjesë nga intervista e kryeministrit Rama
 
-Ne paguajmë taksat ajo të na sjellë shërbimin. Pse 11 dhe jo 7 apo 9, a patët një kriter për numrin e ministrive dhe bashkimin? Nga u nisët që dolët tek këto 11 ministri?
 
Ne i pamë me shumë kujdes. Kjo periudha e tranzicionit të gjatë është absurde nga njëra anë, por nga ana tjetër, na dha mundësinë që të bëjmë shumë studime të hollësishme, me modele. I pamë me kujdes dhe besoj se është një lloj optimumi. Pastaj nuk është se ka një rregull fiks, nuk është si një ekuacion o e bëre mirë o gabim. Kjo besoj unë është një produkt dhe i eksperiencës se ku kanë qenë ato vështirësitë nga pikëpamja e koordinimit dhe shpejtësisë dhe ku ngecin e ku burokracia bëhet më shumë problem, ku janë kundërvendosjet, ku janë momentet ku ndodhin mbivendosjet. Besoj që është optimale.
 
-Kjo nuk mund t’i kënaqte të gjithë ata që kishin ambiciet për t’u bërë ministra edhe për faktin se ishte numri shumë i vogël i ministrive dhe janë shumë ata që pretendonin. Por pse u la jashtë Saimir Tahiri? Ju vetë e keni vlerësuar si një ministër të suksesshëm, edhe fakti që si koordinator i qarkut të Tiranës ai pati një rezultat goxha të mirë. A kishte një arsye?
 
Kjo nuk është si puna e skuadrës kombëtare të futbollit. Nuk është qeveria seleksioni i atyre që do hyjnë në fushë e të tjerët janë në stol, sepse ne kemi nevojë shumë të madhe që ti kemi të fortë të tre komponentët, edhe partinë, edhe grupin edhe qeverinë.

Nëse komponenti i grupit do të na dobësohej e një pjesë e kapaciteteve tona, që fare mirë mund të ishin ministra nuk do të investoheshin për grupin, ne do të kishim problem shumë të madh. Jo thjesht për përmasën e grupit, por dhe për vetë qeverinë.

Sepse ka shumë nevojë qeveria që të ketë një grup jo thjeshtë të fortë që ta mbrojë në parlament, por dhe që ta mbajë nën presion në kuptimin e gjërave që duhen bërë. Pjesa tjetër pastaj që unë e thashë dhe në Asamble është pjesa e partisë. Edhe aty duhet të kemi disa kapacitete shumë të mira që të mund të vazhdojmë punën me ndërtimin e këtij koalicioni që them unë dhe të hapjes e të ripërtëritjes së partisë.
 
-Ndërkohë tek pjesa e ministrive, jam shumë e interesuar për atë të integrimit. Ju e shkritë sepse ne nuk do hapim negociatat? Ju e shkritë sepse nga Ministria e Jashtme mund të bëhet mirë çështja apo ndoshta se kur të hapen negociatat do të kemi një kryenegociator e ministria është e panevojshme?
 
Jo. Unë besoj shumë që është si puna e një trupi, me më shumë peshë dhe mbipeshë, e nuk është se bëhet më shumë lëvizje e më shumë aktivitet. Ne i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë më shumë a më pak. Në këtë rast, ne thjesht do ta spostojmë të gjithë pjesën e problematikave të integrimit që kanë të bëjnë me koordinimin e të gjithë dikastereve dhe me përgatitjen e negociatave, tek Ministria e Jashtme dhe është një praktikë që e kanë pasur disa vende.

Për shembull Hungaria, nuk ka pasur fare ndonjëherë as ministri integrimi, as emrin integrim në qeveri, është anëtare e BE. Sllovakia i ka pasur të dyja, kroatët e patën një herë në fillim pastaj e kaluan tek Ministria e Jashtme.

Ndërkohë që në momentin që hapen negociatat, vendoset një kryenegociator, ndërtohet një ekip dhe kryenegociatori faktikisht në të gjitha vendet është në rang anëtari qeverie, pavarësisht se nuk është pjesë e formacionit të qeverisë, por nga pikëpamja e peshës që ka dhe nuk është e nevojshme që të kesh një burokraci më vete aq të madhe. Jo se nuk ka qenë e nevojshme deri tani, por tani nuk besoj se është e domosdoshme kështu që është thjesht një kalim apo përqendrim tek Ministria e Jashtme.
 
-Përveç shkrirjes dhe bashkimit të disa agjencive, inspektorateve, do kemi dhe administratë më të vogël?
 
Unë besoj që do jetë më e vogël. Jo shumë më e vogël, sepse e thashë, ne kemi një numër punonjësish, më të voglin në rajon. Vetëm Gjeorgjia në gjithë Evropën e ka më të vogël numrin e punonjësve që paguan, se ne. Bëmë goxha shkurtime në 2013, por përsëri do bëjmë shkurtime sepse bashkimi i Ministrisë së Financave me Ministrinë e Ekonomisë dhe komponentit të Punës tek mirëqenia nuk do të thotë që do bashkohen mekanikisht të gjitha bashkë e të jenë si federatë ministrish. Do jetë një ministri, kështu që do funksionoje si një ministri dhe faktikisht numri do shkurtohet në mënyrë drastike.
 
-Duket sikur ju keni shkrirë ministritë që i drejtonte LSI më përpara. E ndoshta kjo është një mënyrë për të hequr dhe ata që LSI mund të ketë futur në punë.
 
Jo, sepse ne kemi drejtuar Financat, Ekonominë dhe Mirëqenien dhe Punën e nuk ka lidhje kjo. Ose për shembull, një ministri që nga pikëpamja e si të thuash bunkerizimit politik ishte më problematikja, ministria e bujqësisë, është po ajo. Me ndryshime të brendshme të vogla. Nuk është se kemi pasur gjëkundi këtë tendencë.
 
-Meqë jemi tek LSI. Ju e keni mbledhur qeverinë, por akoma nuk është dekretuar nga Presidenti, i cili pati deklaruar në fushatë se nuk do dekretonte asnjë qeveri nëse këto zgjedhje nuk do të plotësonin gjithë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme. E në fakt nga kryetarja e LSI-së këto zgjedhje janë cilësuar si të manipuluara, të vjedhura, të blera. A i druheni një mosdekretimi të ndonjë ministri apo dhe gjithë qeverisë nga z. Meta?
 
Presidenti tha në një moment, nëse nuk gabohem, se nuk e kam parë vetë, por kam parë këto raportet, pasi u zgjodh, që “gjithçka  kam thënë deri në orën 18:00 të datës, nuk e di, nuk e mbaj mend”. Kështu që, as unë nuk e mbaj mend çfarë ka thënë deri në orën 18:00 të asaj date edhe jam i bindur që nuk do të ketë probleme të tilla, nuk diskutohet.

Domethënë, gjithkush gabon, jemi njerëz nuk jemi robotë. Gjithkush gabon. Natyrisht që, ka lloj-lloj nivelesh të gabimeve që mund të kenë, lloj- lloj kostosh, por nga pikëpamja e mënyrës sesi do zhvillohet kjo marrëdhënie unë nuk shikoj shqetësime, sepse të paktën siç e gjykoj unë nuk shikoj një potencial aq autodestruktiv, si ai që u shfaq në fushatë.
 
-Një nga emrat surprizë ishte ministrja e Drejtësisë. Mund të kishte pasur një nga personalitet më të njohura të politikës, siç ishte z. Ngjela që u përfol dhe është thënë që në 2013-ën ka qenë një kandidat për ministër Drejtësie, por për shkak të aleatit nuk funksionoi. Ju zgjodhët një zëvendësministre për kabinetin.
 
Në 2013-ën në fakt unë  i kam propozuar një detyrë avokatit. Ai nuk e pa të përshtatshme. Por nuk  ka qenë ky si opsion. Ndërkohë që këtë herë zgjedhja besoj është e qartë për sa i përket ministres, sepse ajo pavarësisht se nuk është me thinja, po ka një eksperiencë goxha të rëndësishme edhe me Reformën në Drejtësi, po  edhe nga një pozicion në tjetër në institucionin e Avokatit të Popullit.

E praktikisht, gjatë periudhës që mbuloi detyrën e zëvendësministres kemi patur 2 apo 3 mundësi që të kontaktojmë dhe diskutojmë dhe më ka bërë shumë përshtypje pozitive. Plus  përshtypjet që kam marrë kanë qenë shumë pozitive nga të tjerë. E kam shumë besim që do ta bëjë siç duhet detyrën. Nuk e diskutoj.
 
-Opozita është PD-ja apo LSI-ja, për juve?
 
Opozita është dyngjyrëshe sot, por sigurisht që PD-ja është partia kryesore dhe partia opozitare në kuptimin e një kufiri të qartë alternativash, nga pikëpamja e programit, nga pikëpamja e qasjeve për shumë gjëra. Ndërsa partia tjetër është opozitë nga halli po themi, në rastin konkret, po natyrisht është opozitë edhe s’diskutohet që nga pikëpamja e përpjekjes për të komunikuar, për të bashkëvepruar, për të marrë vendime në të mirë të vendit neve bëjmë përpjekje me të dyja opozitat. Nuk diskutohet ajo.
 
-Këtë takimin e përjavshëm  p.sh që bënit me Ilir Metën do ta  bëni  me Lulzim Bashën?
 
Jo të përjavshëm, nuk besoj se do jetë nevoja, po edhe nuk është se është diskutuar për një takim të përjavshëm. Është diskutuar për një takim periodik, që mund të jetë i përdymuajshëm, i përtremuajshëm, s’ka nevojë për të përjavshëm dhe po ashtu është diskutuar për të pasur një qasje të re në kuptimin e çështjeve.
 
 
-Vazhdoni të mendoni se është djalë i mirë Lulzim Basha?
 
Po, po jam i bindur për këtë.
 
-Plus PDIU? Po flas në parlament se folëm për PD-në, folëm për LSI-në, por është edhe PDIU-ja në parlament dhe të paktën dy nga deputetët e PDIU-së që janë në parlament kanë shprehur gatishmërinë që të jenë pjesë e qeverisjes.
 
Aty ka një potencial të qartë bashkëpunimi, bashkëpunimi për tema, për çështje. Kështu që jam i bindur se me ata do të kemi një dialog shumë më të frytshëm në kuptimin e gjërave konkrete edhe për shkak të faktit se janë sidoqoftë një parti që kanë një impostim pak më ndryshe, sesa dy partitë e tjera dhe nuk ka atë le të themi “delirin e madhështisë” që kanë dy tjerat.
 
-Ju po bëni këtë ristrukturimin e madh të administratës të shtetit besoj. Ka vend që të rishikohet edhe njëherë harta territoriale e bashkive? Ka një kërkesë  nga opozita për këtë.
 
Mund të ketë vend, po ne  do të ishim të gatshëm ta rishikonim për të ulur numrin e bashkive, ata duan ta rishikojnë për ta rritur numrin e bashkive, kështu që këtu s’kemi përputhshmëri fare. Se unë besoj se ende numri i bashkive është i lartë. Mund të jetë më i ulët për të pasur njësi ekonomike më të mëdha dhe për të pasur qeverisje më eficente. Ata besojnë ndryshe.
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë