Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe shefi i Misionit të SHBA-së, në Tiranë, David Wisner zhvilluan një vizitë në Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimëve, një qendër e rëndësishme ku ruhen mbi 5 000 aksesione të mbi 182 specieve bimore.
Këto aksesione dhe specie bimore janë të depozituara edhe në Bankën Botërore të Ruajtjes së Farave në Norvegji.
Ministrja Denaj vlerësoi se kjo është një pasuri e jashtëzakonshme e vendit tonë, e grumbulluar me punë kërkimore dhe në bashkëpunim të ngushtë mes agronomëve e Ministrisë së Bujqësisë dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës “UBT”, duke siguruar përcjelljen e tyre për brezat e ardhshëm dhe përdorimin e qëndrueshëm në bujqësi.
“Fara, si mbartëse e jetës është jo vetëm elementi fillestar nga ku fillon prodhimi bujqësor, por edhe siguria ushqimore. Në këtë aspekt, angazhimi ynë është që të mbështesim fermerët me subvencione për fara dhe fidanë cilësore në ambientet e mbrojtura, për të ndryshuar mendësinë e fermerëve që të kenë akses vetëm në fara dhe fidanë të certifikuar”, u shpreh ministrja.
Denaj theksoi se për vitin 2022 janë certifikuar 43.4 milionë fidanë, dhe më shumë se 1 540 tonë fare, teksa nënvizoi faktin se, ruajtja dhe kultivimi i këtyre farërave autoktone shqiptare ose që kanë krijuar një përshtatje të veçantë me terrorin dhe klimën e vendin tonë, janë aset për të krijuar produkte që janë të lidhura me territorin shqiptar.
Në godinë gjendet një laborator i financuar nga USAID në vitin 1996 ku edhe sot kryhen analizat e farave të bankës gjenetike. Laboratori është në shërbim edhe të Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve (ESHFF).
Gjatë vizitës Denaj dhe Wisner u njohën më nga afër me punën kërkimore në këtë Institut, teksa u informuan mbi punën që bëhet lidhur me ruajtjen dhe përdorimin e resurseve gjenetike të bimëve në vendin tone.
Instituti i resurseve gjenetike është krijuar në vitin 1998 me objektivin për ruajtjen e farave dhe për një periudhë të gjatë kohe, nga 10 deri 100 vite.
Ndërsa në Fermën didaktike, ruhet koleksioni fushor i bankës gjenetike për pemë të cilat nuk mund të ruhen në bankën gjenetike.24% e koleksionit e pemëve frutore ruhet në fushat e bankës gjenetike, dhe 76% në Bankën gjenetike. Ky institucion është gardiani i diversitetit gjenetik bujqësor të Shqipërisë, mund të pëmendim rastin e grurit Gushtag i kultivuar në malin e Gramozit i cili ruhet dhe mund të shërbejë për zhvillimin e produkteve të lidhura me territorin tonë.
Të pranishëm gjatë vizitës në Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimëve në Tiranë, ishin edhe zv. ministrat e Bujqësisë Dhimo Kote, Arjan Jaupllari dhe rektori i UBT-së Fatbardh Sallaku.