Anti-informaliteti/ Ministrja Denaj: Javën tjetër emrat e kompanive abuzuese

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta, bënë publike sot të dhënat e fundit të aksionit kundër informalitetit ndaj produkteve të akcizës. Ajo ka deklaruar se aksioni antinformalitet do të jetë i fokusuar në vazhdim tek produktet e akcizës. Ministrja paralajmëroi se javën tjetër do të bëhen publike shifrat dhe emrat e gjithë kompanive që kanë abuzuar, pa përjashtuar edhe inspektorët që janë konstatuar se kanë toleruar këto shkelje.

“Takimi ynë i radhës do jetë javën e ardhshme. Drejtori e përmendi që ne jemi duke përfunduar dhe këtë javë kontrollin në të gjitha pikat doganore, jemi duke përfunduar gjithë procesverbalet. Do të flasim javës tjetër me shifra dhe me emra kompanish dhe me numër inspektorësh të cilët do të shkojnë për masa disiplinore pasi mendojmë se ky proces nuk mund të shkojë vetëm me gjobitje të bizneseve për të cilat ka parregullsi por sigurisht edhe për ata inspektorë që në vite kanë lejuar që këto parregullsi”, theksoi ministrja Denaj.

Ministrja Denaj tha se zbatimi i Planit Operacional në produktet e Akcizës ka dhënë efekte pozitive, ku të ardhurat nga akciza për muajin korrikin ishin 4.86 miliardë lekë, me një realizim në masën 107 % ndaj planit dhe me rritje prej +17.8 % krahasuar me korrikun e vitit 2018, ndërkohë që e njëjta ecuri pozitive vërehet edhe për gjysmën e parë të muajit gusht.Ndërsa theksoi se subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në produktet e akcizës kanë një sërë lehtësisht nga Ligji 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, Ministrja i bëri thirrje biznesit që të respektojë detyrimet ligjore pasi, ligji parashikon edhe penalitete për ato subjekte që nuk deklarojnë konform përcaktimeve ligjore.

Ministrja informoi se brenda vitit aktual, në fazën e dytë të zbatimit të Planit Operacional, verifikimet nga ana e Administratës Doganore do të kryhen për një periudhë tre vjeçare, e jo vetëm që nga fillimi i vititi 2018, siç po ndodh aktualisht. Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta, informoi se gjatë periudhës 1 korrik deri në 15 gusht 2019 janë kryer 960 kontrolle, nga të cilat 71 raste kanë rezultuar me shkelje.

“Në total, për rastet e evidentuara me shkelje, detyrimet e munguara kanë qenë rreth 50 mln lekë, kurse penalitetet e vendosura janë afërsisht 98 milionë lekë. Totali i detyrimeve që duhet të paguajnë subjektet e evidentuara me shkelje është 148 mln lekë, ose rreth 1.2 mln euro. Llojet e shkeljeve kanë rezultuar për të gjitha kategoritë e produkteve të akcizës, duke nisur që nga karburanti, duhani, pijet alkolike dhe kafja”, u shpreh Gjokuta.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave u bëri thirrje subjekteve që të përfitojnë nga lehtësirat e legjislacionit të akcizës dhe të zbatojnë me korrektësi detyrimet që ai parashikon, ndërsa theksoi se objektiv nuk është penalizimi i subjekteve por lufta ndaj paligjshmërisë, në favor të një klime të favorshme të të bërit biznes dhe konkurrencës së ndershme.

Deklarata e Ministres Anila Denaj:

Ditën e sotme ju kemi ftuar për të ndarë me ju disa informacione paraprake mbi ecurinë e Planit Operacional nga ana e Autoritetit Doganor, rezultatet e tij dhe impaktin në treguesit e performancës fiskale të Administratës Doganore.

Sapo kemi mbyllur Takimin Periodik Javor, ku institucionet e përfshira raportojnë dhe analizojnë ecurinë e këtij Plani Operacional dhe përcaktojnë fokusin dhe prioritetet e javëve në vijim.

Prioritet i muajit Gusht kanë qenë dhe mbeten produktet e Akcizës.

Veprimtaria e subjekteve që tregtojnë produkte të akcizës rregullohet nga Ligji 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka hyrë në fuqi në datë 1 Tetor 2012, ligj i cili parashikon lehtësira të konsiderueshme për operatorët si p.sh:

- Pagimi i detyrimeve të akcizës në momentin e hedhjes për konsum të produkteve dhe jo me parapagim;

- Vetëdeklarim për hyrje, dalje, stokim dhe prodhim të produkteve të akcizës.

Përfitoj nga rasti të rikujtojmë për publikun dhe çdo subjekt të interesuar që krahas lehtësirave jo të pakta që ka, ky ligj parashikon edhe penalitete për ato subjekte që nuk deklarojnë konform përcaktimeve ligjore.

Këto penalitete, në varësi të llojit të subjektit dhe përsëritjes së mosdeklarimit, shkojnë deri në 5-fish të detyrimit të munguar apo deri në revokim të autorizimit për të zhvilluar veprimtari me mallrat e akcizës.

Administrata Doganore ka analizuar me detaje të dhënat në dispozicion dhe ka përgatitur një listë paraprake të subjekteve që do inspektohen.

Kontrollet konsistojnë në verifikime të detajuara fizike dhe dokumentare, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së vetëdeklarimit me të dhënat e sistemit informatik. Si rregull, kontrollet mbulojnë periudhat e pa kontrolluara më parë nga strukturat Doganore por në çdo rast që është analizuar, në kuadër të planit operacional, është marrë në konsideratë minimalisht periudha që nga janari 2018 e deri në momentin e kontrollit.

Në fazën e dytë të planit operacional, brenda vitit aktual, verifikimet do të kryhen, për një periudhë 3 vjeçare, ashtu siç parashikohet nga legjislacioni Doganor.

Në vijim, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave do të paraqesë për publikun rezultatet e Planit Operacional dhe impaktin në performancën fiskale.

Por më lejoni të përmend paraprakisht që në muajin korrik ecuria e konsumit dhe importit të produkteve të akcizës, si dhe niveli i të ardhurave të arkëtuara nga Administrata Doganore, ka pësuar rritje të ndjeshme.

Më konkretisht, të ardhurat nga akciza për muajin korrik ishin 4.86 mld lekë, duke u realizuar në masën 107 % ndaj planit dhe me rritje prej +17.8 % krahasuar me korrikun e vitit 2018.

E njëjta ecuri pozitive vërehet edhe për gjysmën e parë të muajit gusht.

Fokus i veçantë i kontrolleve në fazën e parë i është kushtuar sektorit të hidrokarbureve, ku përveç kontrolleve në pikat e karburanteve, po ushtrohet kontrolli fizik i detajuar që nga nisja e zinxhirit të tregtimit me shumicë, nga momenti i importit apo prodhimit.

Ka përfunduar kontrolli i magazinave të lira në Porto Romano dhe po vijojmë me kontrollin e Petroliferës në Vlorë dhe në uzinën dhe rafineritë e prodhimit në Fier dhe Ballsh.

Më pas puna do të vijojë me kontrollin e karburantit të përdorur nga anijet e peshkimit dhe me rakordimin e faturave dhe transaksioneve në gjithë zinxhirin e tregtimit, për të patur një evidencë të qartë të situatës fiskale në sektorin e karburanteve.

Paralelisht me këtë, në muajt në vijim, fokus të veçantë do të kenë edhe produktet e tjera të akcizës, veçanërisht duhani dhe pijet alkolike.

Në shtator do të nisë puna për kontrollin dhe rakordimin e të dhënave mbi importin dhe prodhimin e lëndës së parë të përdorur në prodhimin e pijeve alkoolike.

Në bashkëpunim me strukura të tjera, veçanërisht me Policinë e Shtetit, fokus të veçantë do të ketë edhe kontrolli i tregtimit të duhanit të grirë.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, i jap fjalën Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave për të paraqitur rezultatet e Planit Operacional dhe impaktin në performancën e Administratës Doganore.

Deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Arlind Gjokuta:

Në vijim të asaj çka përmendi znj.Ministre, më lejoni të bëj një përmbledhje të treguesve kryesorë të Planit Operacional për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, që nga zbatimi në fillim të muajit korrik, si dhe të jap shkurtimisht impaktin dhe ecurinë e zërave kryesorë në të ardhurat që arkëton Administrata Doganore.

Gjatë periudhës 1 korrik deri në 15 Gusht 2019, strukturat e DPD dhe Degët doganore janë angazhuar në zbatim të planit operacional në kontrolle në pikat kufitare dhe në territor.

Për kryerjen e kontrolleve për disa kategori të produkteve të akcizës ka patur angazhim, shkëmbim informacioni dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional në terren me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ndërkohë që në kontrollin e produkteve hidrokarbure, kryesisht në kontrollin e cilësisë, por edhe verifikimin e lejeve të tregtimit, është përfshirë edhe Inspektoriati Shtëtëror Teknik dhe Industrial.

Në total nga strukturat e Departamentit të Analizave dhe Aposteriorit dhe Degëve Doganore për periudhën në fjalë janë kryer 960 kontrolle, nga të cilat kanë rezultuar me shkelje 71 raste.

Kontrollet janë bazuar në analizën paraprake të të dhënave që disponon Autoriteti Doganor, por edhe bazuar në sinjalizimet dhe denoncimet e qytetarëve, të cilat kanë qenë të konsiderueshme dhe për këtë gjej rastin t’i falënderoj dhe njëkohësisht të inkurajoj çdo qytetar të përgjegjshëm që të vijojnë me sinjalizimin e çdo rasti abuzimi.

Kjo është një betejë ndaj një fenomeni që na prek e dëmton të gjithëve dhe vetëm duke qenë së bashku e duke krijuar besimin reciprok mundemi ta fitojmë.

Në çdo rast, në varësi të shkeljes së evidentuar janë marrë masat sipas legjislacionit doganor dhe ligjit të akcizës, duke aplikuar sanksionet e parashikuara si detyrimi i munguar dhe penalitetin përkatës, apo sekuestrimin e produkteve të hedhura në qarkullim jo konform ligjit.

Gjithashtu, paralelisht, për raste të veçanta, ku janë evidentuar elementë të veprës penale, ka nisur hetimi dhe aktualisht janë referuar në prokurori 9 raste.

Në total, për rastet e evidentuara me shkelje, detyrimet e munguara kanë qenë rreth 50 mln lekë, kurse penalitetet e vendosura janë afërsisht 98 milionë lekë. Totali i detyrimeve që duhet të paguajnë subjektet e evidentuara me shkelje është 148 mln lekë, ose rreth 1.2 mln euro.

Llojet e shkeljeve kanë rezultuar për të gjitha kategoritë e produkteve të akcizës, duke nisur që nga karburanti, duhani, pijet alkolike dhe kafja.

Për sektorin e karburantit, sic e theksoi edhe Ministrja, po bëhet analizë e plotë dhe gjetjet përkatëse do të bëhen publike së shpejti.

Ndërkohë, disa nga shkeljet kryesore të evidentuara, një pjesë e të cilave janë bërë publike janë:

- Hedhja në qarkullim e produkteve të akcizës pa paguar detyrimet fiskale.

- Produkte akcize, kryesisht pije alkolike, të tregtuara në njësi tregtare, pa pullën fiskale.

- Karburant i pa markuar i hedhur në qarkullim, apo lëndë djegëse (solar) jashtë standardit e si rrjedhim e pa fiskalizuar.

- Duhan i grirë, prodhim vendi, për të cilin nuk është paguar detyrimi i akcizës.

- Kontrabandë e produkteve të akcizës e zbuluar në pikat kufitare.

Për sa më sipër, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka monitoruar ngushtë jo vetëm zbatimin e Planit Operacional, por edhe ecurinë e mbledhjes së të ardhurave. Në muajin korrik performanca e tyre ka qenë tepër pozitive dhe i njëjti trend ka vijuar edhe në gjysmën e parë të muajit gusht.

Në muajin korrik u arkëtuan 15.87 mld lekë të ardhura, rreth 101.3% e planit mujor. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat e muajit korrik ishin +7.7% me shumë.

Veçanërisht, ecuri pozitive kanë patur ecuria e akcizës dhe TVSH.

Të ardhurat nga akciza ishin 4.8 mld lekë, 107% ndaj planit dhe rreth 17.8% më shumë se një vit më parë.

TVSH e arkëtuar rezultoi 10.2 mld lekë, 100% e planit dhe me rritje +6.4% krahasuar me korrikun 2019.

Për sa u përket produkteve kryesore të akcizës që kanë dhe peshën më të madhe në të ardhura, vërehet një ecuri pozitive e karburantit dhe cigares. Konkretisht:

- Sasia e importuar e karburantit për muajin korrik 2019 ishte 56.4 mijë ton, niveli më i lartë historik i arritur për këtë muaj, me një rritje me +30%, krahasuar me korrikun 2018. Ndërkohë të ardhurat nga ky produkt janë rritur me +25.4%.

- Sasia e importuar e cigareve në korrik 2019 ishte 305 ton. Një rritje me +25%, ose 61 ton krahasuar me korrikun 2018. Si rrjedhim, të ardhurat nga ky produkt janë rritur me +26.8%.

E njëjta ecuri pozitive ka vijuar edhe për importin dhe konsumin e produkteve të tjera të akcizës si birra, pijet alkoolike etj.

Strukturat tona do vijojnë të jenë të angazhuara tërësisht në zbatimin e planit operacional, jo vetëm për 1 apo 2 muaj, por në mënyrë konstante deri në fund të vitit.

Përfitoj nga rasti tu bëj thirrje të gjithë subjekteve që ashtu siç përfitojnë nga lehtësirat e legjislacionit të akcizës, të zbatojnë me korrektesë dhe të deklarojnë brenda afatit mallrat e hedhura në qarkullim.

Objektivi ynë nuk është penalizimi apo ndëshkimi i subjekteve, por lufta ndaj paligjshmërisë, duke synuar krijimin e një klime të favorshme për të zhvilluar biznes në funksion të konkurrencës së ndershme dhe barazisë para ligjit.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare