Komisioni i Ligjeve do të shqyrtojë të martën firmat e 7 kandidatëve që kanë mbështetje për Avokat Populli dhe do të marrë një vendim se kush e si do të kalojë për votim në seancën e së enjtes. 

“Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ora:11:00  "Shqyrtimi i plotësimit të kushteve ligjore për kandidatët që kanë marrë mbështetjen me jo më pak se 28 firma për vendin vakant të Avokatit të Popullit", thuhet në njoftim.

PD tërhoqi firmat e deputetëve të saj që kishin shprehur mbështetje për 7 nga kandidatët, por burime pranë PS thanë se tërheqja ishte jashtë afatit. PD njoftoi papritur tërheqjen e firmave me argumentin se nënshkrimet janë dhënë para se kandidatët të kalonin filtrin e Komisionit të Ligjeve. 

Më herët, burimet thanë se socialistët kishin refuzuar formulën e propozuar nga PD për zgjedhjen e avokatit. Nga 6 emra të zgjedhur nga PD, socialistët duhet të zgjidhnin vetëm 3. Nga këta 3 emra, opozita do të zgjidhte vetëm një emër për t'ia paraqitur seancës plenare për votim.

Megjithatë zyrtarisht grupi i PS tha se nuk do të komentojë asnjë propozim që nuk e kanë marrë ende në formë zyrtare.