Ministrja e Arsimit para maturantëve ekselentë: Sfidë, mbajtja e të rinjve në Shqipëri! Do sjellim universitetet më të mira europiane për të rritur cilësinë e arsimit

 

"Sfidën më të madhe të momentit" e ka konsideruar Ministrja e Arsimit, Evis Kushi mbajtjen e të rinjve në Shqipëri, që të studiojnë e të jetojnë në vend. Përballë maturantëve ekselentë, në ceremoninë e dhënies së ‘Medaljes së Artë’, Kushi u shpreh se po punohet për rritjen e cilësisë së arsimit, duke bashkëpunuar me universitetet më të mira europiane.

"E sapo filluam përgatitjet për këtë ceremoni, shqetësimi i parë që kisha bashkë me stafin ishte “sa prej të rinjve që përfitojnë medalje do të mungonin sot”, për shkak se studiojnë jashtë vendit. Pa dyshim që ata që studiojnë jashtë vendit na bëjnë shumë krenarë njësoj si ju, por unë nuk e fsheh dot që një nga sfidat tona më të mëdha të momentit është që të rinjtë tanë, e sidomos ata më të mirët, si ju, të vazhdojnë të studiojnë e jetojnë këtu në Shqipëri. E pikërisht për këtë, në bashkëpunim me universitetet shqiptare, ne po punojmë fort për të rritur cilësinë e arsimit të lartë, duke sjellë universitetet me te mira këtu, duke hapur programe studimi të përbashkëta apo të dyfishta, me qëllim që diploma juaj të këtë vlerë njësoj si diplomat e studenteve në BE. Kemi tashmë disa rezultate pozitive. Për shembull para pak javësh, bashkë me rektorin e Universitetin e Mjekësisë së Tiranës vizituam Universitetin e Bolonjës (933 vjeçar), ku firmosëm edhe një marrëveshje për program të përbashkët PHD. Ky fakt dëshmon se universitetet tona janë ngritur në një nivel të ri. Pa dyshim ka nevojë për shumë punë akoma, por jemi absolutisht në një nivel të ri", tha Kushi.

Ajo shtoi se e rëndësishme po ashtu është edhe garantimi i punësimit për të rinjtë, duke përmendur platformat që i ndihmojnë ata në këtë aspekt.

"Por, për të garantuar një të ardhme të mirë për ju këtu në Shqipëri nuk mjafton vetëm një arsim cilësor. Ne kemi detyrimin të ofrojmë sa më shumë mundësi punësimi për ju, e jo vetëm për ju ekselentët, por edhe çdo të ri e të re, duke u bazuar gjithmonë në meritokraci e transparence. Konkretisht, nëpërmjet platformës “Punë Të Mbarë”, ne ofrojmë një mundësi shumë të mire punësimi ne administratën publike për studentët ekselentë, të diplomuar me mesatare 9-10 brenda dhe jashtë vendit. Që prej vitit 2019 janë punësuar me kontratë 1-vjeçare 684 ekselentë, dhe sot kemi të punësuar në shërbimin civil 240 të rinj, të cilët japin kontributin e tyre në institucione të ndryshme, duke sjellë një frymë të re dhe vizionin e tyre në përmirësimin e fushës ku janë të angazhuar. E po ashtu edhe Programi Kombëtar i Praktikave të Punës në administratën publike, synon të përfshijë, jo vetëm ekselentët por të gjithë pjesëmarrësit, në një eksperiencë pune përkrah profesionistëve me karrierë në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese, duke krijuar një urë ndërveprimi që sjell përfitim reciprok. Deri më tani kanë kryer praktikën 3-mujore afërsisht 4000 të rinj e të reja, dhe janë punësuar me kontratë 1-vjeçare 1200 prej tyre. E se fundi, platforma “Gati për Shqipërinë”, për te cilën Ministrja për Rininë dhe Fëmijët është shumë e angazhuar, është një ftesë dhe një mundësi në dispozicion të të gjithë atyre që kanë përfunduar studimet me rezultate të larta, në Shqipëri apo jashtë vendit, dhe kanë dëshirë për të kontribuar në administratën publike në funksione të ndryshme", shtoi Kushi.


Lajmi kryesor:

Rama i pranishëm në ceremoninë e dhënies së ‘Medaljes së Artë’ për maturantët ekselentë: Mos kini frikë nga ëndrrat e mëdha! Ministrja Arsimit: Sfidë, mbajtja e të rinjve në Shqipëri


/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër