Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht tha gjatë një vizite në Lituani se NATO duhet të bëjë më shumë për sigurinë e përbashkët për të mbrojtur veten nga çdo veprim agresiv nga Rusia dhe presidenti Vladimir Putin.
“Fakti është se ne, NATO, duhet të bëjmë më shumë për sigurinë tonë të përbashkët, sepse nuk mund të dimë se deri ku mund të shkojnë iluzionet e madhështisë së Putinit”, u shpreh Lambrecht teksa vizitonte trupat gjermane të dislokuara në vendin baltik.
"Ne kemi dëgjuar kërcënimet e Rusisë ndaj Lituanisë, e cila po zbatonte sanksionet evropiane në kufirin me Kaliningrad. Nuk janë pothuajse kërcënimet e para dhe ne duhet t'i marrim seriozisht dhe të përgatitemi," tha Lambercht.
"Siguria e Lituanisë është siguria e Gjermanisë. Është ky premtim i sigurisë së përbashkët për të cilin ne po angazhohemi sot," tha ajo në bazën ushtarake Rukla të Lituanisë.
Gjermania kryeson një brigadë luftarake ndërkombëtare prej 3,000-5,000 ushtarësh të vendosur në Lituani. Lituania ka kufij me enklavën ruse të Detit Baltik të Kaliningradit, si dhe me aleatin e Kremlinit, Bjellorusinë.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut u krijua në 1949 nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe disa vende të Evropës Perëndimore për të ofruar siguri kolektive kundër Bashkimit Sovjetik.
Së fundmi, të nxitur nga shqetësimet e sigurisë lidhur me pushtimin e Rusisë, Finlanda dhe Suedia aplikuan zyrtarisht për t'u bashkuar me NATO-n në maj duke përdorur një procedurë të përshpejtuar. Shumica e vendeve anëtare kanë ratifikuar tashmë aplikimet e tyre dhe dy vendet nordike janë drejt rrugës për t’iu bashkuar Aleancës në një kohë rekord.