Ministrja Gjonaj: Reforma në Drejtësi po jep rezultate, do ngremë SPAK dhe Byronë e Hetimit

Ministrja Gjonaj: Reforma në Drejtësi po jep rezultate, do ngremë SPAK dhe Byronë e Hetimit

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në konferencë

Shqipëria ka marrë vlerësime ndërkombëtare për derregullimin dhe inovacionin në shërbimet publike, në funksion të luftës ndaj korrupsionit. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ishte pjesë e konferencës, me ftesë të Përfaqësueses Speciale të Kryesisë italiane të radhës së OSBE-së për luftën kundër korrupsionit, Paola Severino. Gjonaj konfirmoi prioritetin e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe prezantoi reformat që janë ndërmarrë në funksion të kësaj lufte si dhe të forcimit të shtetit ligjor.

“Ne jemi duke zbatuar një reformë të thellë e gjithëpërfshirëse në drejtësi, e cila reflekton standardet e BE-së dhe po jep rezultate konkrete në përpjekjet tona për t'u dhënë qytetarëve një sistem gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe të paanshëm. Po përgatitemi për të ngritur institucione të posaçme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, që përfshijnë gjykatat e posaçme si dhe strukturën e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK), e cila ka në përbërje Prokurorinë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit”, është shprehur ministrja Gjonaj.

Më tej ministrja është ndalur në strukturat e reja antikorrupsion që drejtohen prej saj në rolin e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, duke prezantuar rezultatet konkrete që këto struktura po prodhojnë, përmes evidentimit dhe ndëshkimeve të një numri të konsiderueshëm drejtuesish dhe nëpunësish të administratës shtetërore të akuzuar për korrupsion. Ministrja Gjonaj është shprehur se Qeveria e Shqipërisë e konsideron inovacionin dhe derregullimin e shërbimeve si një mjet substancial për të luftuar korrupsionin. Sipas saj, një shumëllojshmëri prej 575 shërbimesh publike, që më parë kanë qenë në dispozicion të qytetarëve vetëm me mjete tradicionale, tashmë janë të disponueshme edhe në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, të aksesueshëm nga telefoni celular, kompjuteri, kioska dixhitale etj.

Duke iu referuar procesit të Integrimit Evropian, ministrja Gjonaj është shprehur se janë ndërmarrë një sërë hapash. “Miratimi i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, Ligjin mbi Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, Detyrimet Financiare të Personave të Zgjedhur dhe disa Zyrtarëve Publikë, Ligjin Anti-Mafia dhe Ligjin mbi Financimin e Partive Politike janë hapa vendimtarë në luftën kundër korrupsionit, të pranuara edhe nga raporti i fundit i GRECO-s, i cili është i lidhur ngushtë me sistemet inovative të komunikimit, për më shumë transparencë dhe bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar”, ka deklaruar Gjonaj. Ministrja e Drejtësisë e ka mbyllur fjalën e saj duke dhënë garanci për përkushtimin ndaj  forcimit të bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare të antikorrupsionit, si dhe për angazhimin e plotë në nismat e reja rajonale antikorrupsion.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja