Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj foli dhe për çmimin e naftës ku ditën e djeshme u ul me 10 lekë pas mbledhjes së Bordit të Transparencës.
Ibrahimaj tha se rritje të çmimeve kanë pësuar dhe frutat ndërsa perimet akoma më shumë ndërsa shtoi se po bëhet monitorim i tregut me bazë ditore. Ajo tha se nëse do të ketë rritje të mëtejshme, qeveria do të subvencionojë ato kategori që nuk përballojnë dot rritjen e çmimeve.
“Dje bëmë një ulje domethënës të çmimit të naftës. Në bazë ditore ne monitorojmë çmimet dhe çdo ditë me qëllim që të garantojmë që çmimet në tabelë janë ato që reflektojnë ndryshimet e fundit.
Ditët e fundit që nga mesi i muajit mars, kemi parë një rritje të çmimeve të frutave dhe perimeve që kanë ndikuar në shportë. Inflacioni shënoi 2.6% me rritje të lehtë. Kemi monitoruar çmimet në njësi tregtare, qoftë fruta-perimet por të gjitha produktet e shportës. Reflektimi ka ndodhur në kategorinë e perimeve ndërsa kategoritë e tjera të çmimeve nuk kanë pasur rritje. Nga eksperienca e luftës së Ukrainës, në të gjithë botën u materializua një rritje e inflacionit të ushqimeve. Do të kujdesemi të subvencionojmë shtresat në nevojë”, tha ministrja.
Lajmi në përditësim...
I pyetur nga gazetarët nëse do t’ia lejonte presidentit Trump përdorimin e bazës ushtarake në Kuçovë, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi tha se SHBA-të janë aleatë strategjikë, kurse Shqipëria vend i NATO-s. Si rrjedhojë, baza e Kuçovës është e NATO-s, por mbetet për t’u parë nëse SHBA-të do të parasshtrojnë një kërkesë të tillë.
“Republika e Shqipërisë ka marrëdhënie strategjike me SHBA-të. Që nga viti 2015 kemi marrëdhënie strategjike me ta, përtej angazhimit tonë në NATO. Mbetet për t’u vlerësuar dhe për t’u parë nëse vjen një kërkesë e tillë nga pala amerikane. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s. Besoj se e gjithë vendimmarrja me këtë gjë, lidhet edhe me angazhimin e Shqipërisë në aleancë”, tha Nufi.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, informoi mbi vendimet e miratuara sot ndër të cilat veçoi programin kombëtar të parkimeve. Ky program, sipas ministrit Demo, do të prekë sidomos zonat urbane dhe bashkitë që kanë më shumë flukse turistike.
“Është një program që do të evidentojë të gjitha kapacitetet që janë në territor për ndërtimin e parkimeve të reja. Këto mund të bëhen edhe në bashkëpunim me sektorin privat”, shtoi ai.
Demo shprehu bindjen se ky program, në thelbin e vetë do të rrisë funksionalitetin e qyteteve dhe në të njëjtën kohë do të përmirësojë cilësinë e jetesës së qytetarëve, sidomos në zonat urbane. Një tjetër vendim i miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është edhe granti prej 20 milionë eurosh i akorduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Demo theksoi se “tashmë ky grant është formësuar dhe shumë shpejt do të krijohet një logjistikë e plotë me mjete që janë të domosdoshme për bashkitë për të parandaluar efektet e ndryshimeve klimatike si dhe për të përmirësuar infrastrukturën sidomos në zonat rurale”.
Po ashtu, Demi theksoi se në mbledhjen e sotme u përcaktuan zonat prioritare edhe në katër bashki të tjera në kuadër të Paketës së Maleve.
“Paketa e Maleve vazhdon të jetë në fokus të punës së bashkive. Javë pas jave ne miratojmë zona prioritare”, shtoi Demo
Qeveria ka autorizuar sot kompaninë KAYO për të negociuar dhe për të lidhur marrëveshje me 2 kompani për prodhimin e mjeteve lundruese dhe dronët ushtarakë ‘Made in Albania’. Është herë a parë që krijohet kjo mundësi, tha ministri i Mbrojtjes Emral Nufi, nga e cila nxitet punësimi.
“Miratuam 2 VKM për autorizimin e shoqërisë KAYO për të negociuar për të lidhur marrëveshje me dy kompani për prodhimin e mjeteve lundruese dhe dronët. Këto dy vendime të Këshillit të Ministrave janë domethënëse, është hera e parë që krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese, kjo është diçka që na bën të ndihemi krenarë dhe jemi afër të finalizimit të marrëveshjeve me këtë autorizim që jep Këshilli i Ministrave. Do të jetë nxitje jo vetëm për industrinë ushtarake, por edhe nxitje për punësimin, krijimin e një hapi të mirëfilltë të ndërtimit të mjeteve lundruese”, tha Nufi.
Qeveria ka miratuar një projekt të ri për qarkun Shkodër të quajtur Porta e Alpeve, njoftoi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. 100 milionë euro në total do të përdoren për një sërë investimesh në infrastrukturë e transport me qëllimin për të krijuar një korridor mes Alpeve dhe Adriatikut. Kjo do të forcojë turizmin dhe zhvillmin ekonomik.
“Porta e Alpeve nënkupton një marrëveshje financimi me Bankën Europiane në 50 mln euro dhe 50 mln euro të alokuara nga buxheti i qeverisë shqiptare. 100 milionë euro në total për projekte infrastrukturore të natyrave të veçanta. Programi dhe marrëveshja ka disa komponentë për rehabilitimin e shesheve urbane e rikonstruksionin e bulevardeve. Investime infrastrukturore në akset që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës dhe Alpet. Investime në rrjet kanalizime-ujësjellës, transportin urban dhe elementët turistikë për menaxhimin e ndotjes urbane. Krijojmë për herë të parë një korridor të integruar mes Alpeve dhe bregdetit Adriatik për të pasur sezon turistik nga dimri në verë dhe ndihmuar zhvillimin ekonomik”, tha Karakaçi.
Mësuesit që kontribuojnë në programin pas shkolle do të paguhen me 1000 lekë ora. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, njoftoi se honorari i parashikuar nga 500 lekë do të jetë 1000, ndërsa thirrja është e hapur edhe për mësues në pension apo specialistë.
Programi pas shkolle është një nismë tashmë e miratuar nga qeveria që fëmijët të qëndrojnë në shkollë pas orarit të detyruar për të përfunduar detyrat apo për t’u marrë me aktivitete të ndryshme zejtare.
“Këshilli i Ministrave vendosi që të dyfishojë honorarin me të cilin shpërblehen këto orë jashtë mësimit të detyruar në shifrën 10 mijë lekë të vjetra për orë, për 60 minuta. ishte parashikuar në 5 dhe kemi arritur në 10. E hapim listën e bashkëpunëtorëve jo vetëm për mësuesit që janë pjesë e sistemit, për mësues që janë në pension dhe janë aktivë, specialistë të ndryshëm të artit, muzikës, për artizanë që të bëhen pjesë e programeve jashtëshkollore ku shkollat sot do të kenë fondin e disponueshëm për të shpërblyer në mënyrë dinjitoze këta bashkëpunëtorë që vijnë nga komuniteti”, tha Kumbaro.
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj bëri me dije miratimin e projektligjin ku përjashton nga tatimet të ardhurat e gjeneruara jashtë Shqipërisë nga shtetasit shqiptarë ose nga rezidentët në vend. Ndërkohë nga lehtësirat fiskale të përfitojë dhe kategoria e të verbërve.
“Parashikon që të gjitha ata që rezidentë tatimorë në Shqipëri, që gjerojnë të ardhura në vende të tjera të botës, këto të ardhura, janë të përjashtuara nga tatimi në vend. Ky është një ndryshim që shkon në linjë me tërheqjen e atyre pensionistëve që kanë dalë në pension në vende të tjera dhe kthehen në Shqipëri. Kemi bërë dhe një rregull ligjor që parashikon që ata që janë të verbër, do të kemi përjashtim tatimor dhe do të përfitojnë nga lehtësirat fiskale”, tha Ibrahimaj.
Komente











