Policia greke ka publikuar pamje nga droni që tregojnë grupe emigrantësh duke lëvizur në këmbë në zona malore dhe rrugë të izoluara të Thesprotisë. Pamjet lidhen me hetimin që çoi në goditjen e një rrjeti të dyshuar për organizimin e kalimit të paligjshëm të mbi 500 emigrantëve nga Shqipëria drejt Greqisë, me përfitime të paktën deri në 750 mijë euro.
Gjatë operacioneve të njëkohshme në Thesproti dhe Selanik, në orët e para të 5 nëntorit, u arrestuan 10 persona të dyshuar si anëtarë të organizatës. Sipas policisë greke, hetimi ka dokumentuar 41 raste të kalimit dhe transportimit të paligjshëm të emigrantëve kundrejt pagesës.
Në materialin filmik të publikuar shfaqen grupe njerëzish që përshkojnë në këmbë terrene malore, ndërsa lëvizjet e tyre ndiqen nga ajri. Përdorimi i dronit ishte pjesë e hetimit disamujor për identifikimin e rrugëve të kalimit dhe veprimeve të personave të përfshirë në rrjet.
Sipas hetimeve, organizata vepronte të paktën prej qershorit të vitit 2025, me drejtues dhe koordinatorë brenda e jashtë Greqisë. Në veprimtarinë e saj dyshohet të jetë përfshirë edhe një 26-vjeçar, i cili ndodhet tashmë në paraburgim.
Emigrantët dyshohet se udhëzoheshin të kalonin në këmbë nga Shqipëria në territorin grek, përmes shtigjeve të vështira malore. Pas kalimit të kufirit, strehoheshin përkohësisht në banesa ose në tenda të improvizuara në zonat malore të Thesprotisë, deri në organizimin e transportit drejt destinacioneve të tjera.
Një grup mbështetës që vepronte në zonën kufitare siguronte strehimin, ushqimin, ujin, kartat telefonike dhe lehtësirat e transportit. Sipas policisë, këto shërbime u ofroheshin emigrantëve me çmime tepër të larta, për të shtuar përfitimet financiare të organizatës.
Transporti drejt brendësisë së Greqisë kryhej kryesisht me autobusë ndërqytetës, me destinacione kryesore Athinën dhe Patrën, ndërsa një pjesë e udhëtimeve vijonin jashtë vendit. Hetimi ka evidentuar gjithashtu se emigrantët drejtoheshin në zona me kërkesë të shtuar për punëtorë në bujqësi.
Në disa raste, anëtarët e dyshuar të rrjetit u mbanin pasaportat emigrantëve për të garantuar shlyerjen e borxhit përmes punës së tyre. Në raste të tjera, shuma e kërkuar për transportin paguhej paraprakisht. Për të koordinuar veprimet dhe për të shmangur zbulimin, të dyshuarit përdornin grupe të mbyllura në aplikacione komunikimi, ku shkëmbenin edhe informacione mbi lëvizjet e policisë greke.
Gjatë kontrolleve në tri banesa dhe një dyqan ushqimor u sekuestruan tri automjete, telefona dhe pajisje elektronike, 1.150 euro të lidhura me aktivitetin e organizatës, si dhe katër pasaporta të fshehura nga një anëtar i saj. Sipas policisë, njëri prej automjeteve përbën produkt të pastrimit të parave.
Në kuadër të operacionit u arrestuan edhe 21 shtetas të huaj pa dokumente të qëndrimit të ligjshëm në Greqi. Pesë prej tyre u gjetën në banesën e një anëtari të dyshuar të rrjetit, i cili, sipas hetimit, i strehonte dhe i punësonte në biznesin e tij pa përmbushur kërkesat ligjore.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu të dhëna për një organizatë të dytë kriminale, me drejtues të dyshuar një 23-vjeçar. Në këtë grup dyshohet se merrnin pjesë edhe katër prej personave të arrestuar gjatë operacionit.
Aksioni u drejtua nga strukturat e emigracionit të Drejtorisë së të Huajve të Selanikut, në bashkëpunim me Europol-in dhe me mbështetjen e policisë së Igumenicës, njësisë së dronëve të Selanikut dhe strukturave të të huajve në Patra. Operacioni u zhvillua në kuadër të Planit Kombëtar Operacional dhe programit europian EMPACT 2.2 EAST MED. Të arrestuarit do të paraqiten përpara autoritetit gjyqësor kompetent të Thesprotisë.









Komente
Komento