META-BONINO: PROJEKTI TAP ËSHTË PËRPARËSI E JONA
Kryetari i Kuvendit ka pritur ministren e Jashtme të Italisë, Emma Bonino. Gjatë takimi është biseduar për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe bashkëpunimin ekonomik. Bonino deklaroi se nuk ka asnjë shtyrje të projektit TAP, duke qenë një nga prioritetet e Italisë.
Pas takimit, kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se, “këto marrëveshje të partneritetit strategjik mes dy vendeve do të çojnë përpara marrëdhëniet tona”. “Këto marrëdhënie do të kenë një të ardhme të shkëlqyer sidomos në aspektin ekonomik për të rimëkëmbur ekonomikë”, tha Meta.
Nga ana e saj, ministrja e Jashtme e Italisë, Emma Bonino tha se, “kjo është një vizitë e gjerë e jo vetëm një takim me homologun tim shqiptar. Unë kisha një takim me kryeministrin, tani me kryetarin e Kuvendit dhe më pas do të zhvilloj një takim me gratë sipërmarrëse në Shqipëri e do takoj edhe sipërmarrësit”.
“Inkurajova kryeparlamentarin që të intensifikojë marrëdhëniet me homologët e tyre”, tha Bonino. E pyetur për shtyrjen e votimit të projektit TAP, Bonino tha se, “nuk ka asnjë problem. Thjeshtë ishte një shtyrje në Senat për shkak të ndryshimeve në projekt. TAP është një përparësi e jona”.
BUSHATI-BONINO: MBESHTETJE PER INTEGRIMIN
Gjatë një konference të përbashkët, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ajo italiane, Emma Bonino, u tha se gjatë takimit është diskutuar për çështje të energjisë, kulturës, arsimit dhe shkëmbimeve dy palëshe. Gjatë konferencës, ministri Bushati tha se, “për ambicien tonë si Shqipëri, për të avancuar në rrugën drejt integrimit, Italia ka qenë një partner strategjik”.
Sipas Bushatit, “kryeminstri i Italisë, Enriko Letta ka rikonfirmoi në OKB se politika e zgjerimit ka qenë e sukseshme. Premtuam për angazhimin e Shqipërisë për të vazhduar me reformat për integrimin e vendit në BE”.
Ndërsa gjatë fjalës së saj, ministrja italiane, Emma Bonino, tha se, e njeh Shqipërinë prej shumë vitesh pasi nga pozicionet e punës që ka pasur në punë kanë bërë që ajo ta njihte Shqipërinë.
“E njoh këtë vend prej shumë kohësh pasi kam mbuluar pozicione të ndryshme. Në vitet ’90 kur vija në Shqipëri, kisha krijuar një opinion për një vend gri, ndërsa kur në vitin 2002 u ktheva në Itali, me një opinion të një vendi plot me ngjyra”.
Bonino ka deklaruar se, me ministrin Bushati, takohen shpesh, në Romë, Bruksel apo dhe në SHBA dhe tha se, kishte përshtypjen që po shihen shpesh, ndërsa kërkoi që kjo të shndërrohet në zakon edhe për ministrat e tjerë të qeverisë italine me ato të qeverisë shqiptare.
Duke folur për raportet dhe bashkëpunimin, Bonino tha se, “raportet tona janë shumë të mira, niveli i shkëmbimit shkon mbi 2 miliardë euro por ka ende hapësira për të rritur bashkëpunimin”. Sipas saj, “janë 400 ndërmarrje italiane në Shqipëri, të nivelit të mesëm apo të vogla që ndihmohen edhe prania e një banke italiane, ajo Intesa. Kjo do të thotë se ekzistojnë kushtet për të tërhequr ndërmjarrje të mëdha italiane sidomos në fushën e energjisë. Të dy vendet tona nuk është se gëzojnë burime natyrore dhe i vetmi burim natyror janë njerëzit”.
Ministrja e jashtme italiane, ka sqaruar edhe pozicionin për mbylljen e konsullatës në Shkodër. “Mbyllja e konsullatës së Shkodrës nuk do të thotë një largim i Italisë apo ulje e prezencës. Flamuri italian do të valëvitet. Në një vend kaq afër dhe mik, prania jonë është e rëndësishme. Veç ambasadës, ne kemi konsullatën në Vlorë, një konsull nderi në Gjirokastrës, zyra të Guardia di Finanzës në Durrës dhe Vlorë, Institutin Italian të Kulturës dhe organizma të tjera dhe për më tepër që kemi radio Radikale”, tha Bonino.
“Ne jemi mbështetës të mëdhej për avancimin në rrugën tuaj drejt BE-së, kështu që edhe nga ana juaj duhet punë, pasi anëtarësimi në BE nuk do të thotë vetëm anëtarësim, por ka dhe detyrime. Viti 2014 është viti i Mesdheut për drejtimin e BE-së, fillimisht Greqia dhe më pas Italia dhe ne do të punojmë për të bërë para në rrugën tuaj. Dhe në fund ju uroj fat në rrugën tuaj”, deklaroi Bonino.
E pyetur nga media për mbështjen që do të japë Italia për integrimin, Bonino tha se, “Italia është mbështetëse e fuqishëm për rrugën në BE, e siç e dini në mes të tetorit do të lexohet progres-raporti dhe në dhjetor mblidhet këshilli për diskutuar dhënien e statusit që besoj se do vijë”.
ANSA: JU MBËSHTESIM PËR INTEGRIMIN, POR BËNI DHE JU PJESËN TUAJ
Agjencia italiane zyrtare e lajmeve Ansa ka pasqyruar vizitën e shefes së politikës së jashtme italiane në Shqipëri: "Italia ka punuar që raporti i Komunitetit Europian të jetë pozitiv dhe Këshilli i Europës në dhjetor t’i japë statusin e vendit kandidat Shqipërisë”, citohet të ketë thënë ministrja e Jashtme, Emma Bonino në konferencën për shtyp me kolegun e saj shqiptar, Ditmir Bushati sot në Tiranë. "Jemi mbështetës të mëdhenj të aderimit tuaj në familjen europiane, por për të kërcyer tango, duhen dy vetë: duhet të bëni edhe ju pjesën tuaj”, ka shtuar Bonino.
VIZITA E BONINOS
Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Emma Bonino nis sot vizitën dy ditore. Gjatë kësaj vizite, Bonino do të ketë takime me krerët më të lartë të shtetit, ku do të diskutohen tema të ndryshme.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ka bërë të dityur se, gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, përveç takimit me homologun Ditmir Bushati, Ministrja Bonino do të zhvilloj takime me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, Kryeministrin, Edi Rama si dhe me liderin e opozitës, Lulzim Basha.
Në fokus të bisedimeve do të jetë bashkëpunimi dypalësh mes dy vendeve, axhenda evropiane e Shqipërisë, TAP, bashkëpunimi rajonal, etj.
Sipas Ministrisë së Jashtme, Bonino do të vijë në vendin tonë në mëngjes dhe do të shkojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe pas përfundimit të takimit me ministrin Bushati do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp e dy Ministrave rreth orës 09:35.
Dy ministrat, Bushati dhe Bonino do të marrin pjesë në orën 12:05 në, “Tryezën e rrumbullakët mbi sipërmarrjen femërore”, që do të zhvillohet në Pallatin e Kulturës, salla “Nënë Tereza” Tiranë.
Në këtë tryezë të ftuar janë edhe ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Brunilda Paskali dhe, zv/ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentiana Sula dhe përfaqësuese të biznesit shqiptaro-italiane.
MARRËDHËNIET SHQIPTARO-ITALIANE
Italia do të kryesojë presidencën e Bashkimit Evropian në 2014 pas presidencës greke. Presidenca greke dhe italiane e BE-së gjatë 2014 përkon me një strategji të përbashkët që fokusohet në marrëdhëniet e BE-se me vendet e Jugut të Mesdheut dhe me marrëdhëniet me vendet e rajonit Adriatiko-Jonian. “Viti 2014 do te jetë viti i Mesdheut”.
Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë me 2.1 miliard euro shkëmbime në 2012 dhe me një ritëm rritjeje prej 3% ne 2013. Italia është edhe vendi i parë për investimet e huaja direkt në Shqipëri, dhe vendi i dytë donator në raporte bilaterale mbi 300 milion euro.
Nëpërmjet programit të bashkëpunimit IPA Adriatic Cross Border për vitet 2007-2013 janë investuar në Shqipëri 18 milion euro.
Redaksia online
(ac/mag/shqiptarja.com)