/ATSH/.-Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialogun Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në dialogun teknik të Brukselit, ka marrë pjesë në takimin e dytë për çështjen e migrimeve ilegale në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian.
Në qendër të takimit ishte vlerësimi i situatës në çështjet e migrimit ilegal në Kosovë, si dhe të masave që lidhen me parandalimin e kësaj dukurie.
Në takimin bilateral mes delegacionit të Kosovës dhe përfaqësueseve të Komisionit Evropian janë vlerësuar pozitivisht angazhimet e Qeverisë së Kosovës në ndaljen e dukurisë së migrimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, angazhime këto që janë bërë në bashkëpunim me Komisionin Evropian, vendet që janë përballë me këto migrime dhe vendet nëpër të cilat kanë ndodhur lëvizja e qytetarëve drejt destinacioneve që kanë synuar.
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksuan se Kosova tregoi një angazhim efikas në ndaljen e dukurisë së migrimeve si dhe përmes një bashkëpunimi ndërkombëtar dhe bilateral është e angazhuar për rikthimin e të mërguarve si dhe riintegrimin e tyre.
Ministrja Edita Tahiri shprehu përkushtimin e qeverisë së Kosovës për të vazhduar veprimtarinë në të gjitha aspektet e nevojshme për të parandaluar këtë dukuri si dhe ftoi vendet që kanë pranuar azilkërkuesit të vazhdojnë të bëjnë me dije publikisht se azilkërkuesve nuk do t'u jepet e drejta për azil, si dhe theksoi rëndësinë e shpejtimit të procedurave për kthimin e tyre.
Ajo po ashtu kërkoi nga BE-ja angazhime që Kosova të anëtarësohet sa më shpejtë në të gjitha organizatat rajonale që kanë të bëjnë me dukuritë e migrimeve, përfshirë organizatën MARRI.
Ministrja Tahiri po ashtu kërkoi që të shpejtohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës për t'iu mundësuar atyre të përjetojnë lëvizjen e lirë, ndërkohë që Qeveria e Kosovës do të jetë në nivelin e duhur të përgjegjësive për të implementuar rregullat e BE-së në liberalizimin e vizave.
Më pas u mbajt një takim trepalësh ku mori pjesë edhe një delegacion nga Serbia, ku të gjitha palët u zotuan se do të bashkëpunojnë në çështjet e parandalimit të migrimeve ilegale duke vënë theksin te nevoja e këmbimit të informacioneve të ndërsjella në këtë çështje, si dhe bashkëpunimi mes policive të dyja shteteve të jetë edhe më intensiv në përballimin e kësaj sfide./KosovaPress/