Për herë të parë, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit e personave me aftësi të kufizuara do të përfaqësojë Shqipërinë në “Genuine Cup 2026”, një aktivitet ndërkombëtar sportiv që do të zhvillohet në Houston, Texas, SHBA, nga 26 korriku deri më 2 gusht.

Pjesëmarrja e 12 futbollistëve të rinj me aftësi të kufizuara intelektuale në këtë kompeticion tregon  përfshirjen sociale dhe garantimin e mundësive të barabarta.

Në bashkëbisedim me futbollistët dhe prindërit e tyre, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Prof. Evis Sala vlerësoi këtë moment historik për sportin gjithëpërfshirës në Shqipëri, duke theksuar se Qeveria Shqiptare po ndërton politika që shkojnë përtej mbështetjes ekonomike, duke krijuar mundësi reale për pjesëmarrje në arsim, punësim, kulturë dhe sport.

“Për herë të parë Shqipëria merr pjesë në Genuine Cup me një ekip të të rinjve me aftësi të kufizuara. Kjo është një arritje sportive, por mbi të gjitha është një fitore për përfshirjen. Politikat tona synojnë që çdo person me aftësi të kufizuara të ketë më shumë mundësi për të mësuar, për të punuar, për të bërë sport dhe për të qenë pjesë aktive e jetës së vendit,” tha ministrja Sala, teksa falenderoi të gjithë ata që morën pjesë për realizimin e kësaj nisme.

Pjesëmarrja në “Genuine Cup 2026”, është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe i angazhimit për zbatimin e politikave që promovojnë gjithëpërfshirjen, integrimin dhe fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara. Përmes zgjerimit të shërbimeve komunitare, rritjes së aksesit në arsim, rehabilitim, punësim dhe aktivitete sociale, synohet garantimi i mundësive të barabarta dhe krijimi i kushteve që çdo individ të zhvillojë potencialin e tij dhe të jetë pjesë aktive e shoqërisë.