Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Vjenë, nga ku ka pasur një takim në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.
Në një postim në rrjetin social X, ministrja shkruan se Shqipëria ka një vizion të qartë për shfrytëzimin e shkencës në funksion të forcimit të kujdesit ndaj kancerit, zhvillimit të mjekësisë bërthamore dhe rritjes së sigurisë nga rrezatimi.
Sipas saj, po punohet për forcimin e programit kombëtar të radioterapisë, ndërsa po synohet edhe përmirësimi i aksesit dhe cilësisë së trajtimeve për pacientët onkologjikë në të gjithë vendin.
'Vizitën në Vjenë po e nis me takimin konstruktiv në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Shqipëria ka një vizion të qartë: shfrytëzimin e shkencës për të forcuar kujdesin ndaj kancerit, mjekësinë bërthamore dhe sigurinë nga rrezatimi.
Po forcojmë programin kombëtar të radioterapisë si pjesë e ngritjes së Institutit të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit. Në partneritet me Agjencinë, ne po investojmë te njerëzit dhe te inovacioni i sigurt, duke udhëhequr me përgjegjësi dhe duke vendosur standarde për përdorimin paqësor të teknologjive bërthamore', shkruan ajo.
Komente











