Mjekët e Spitalit Rajonal të Kukësit do t'i nënshtrohen monitorimit periodik të performancës profesionale, ndërsa ata që do të rezultojnë me mangësi në kompetencat e tyre do të duhet të rikualifikohen pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Këtë e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë një inspektimi në Spitalin Rajonal të Kukësit, ku zhvilloi një takim me mjekët dhe infermierët.
Spahiu kërkoi angazhim maksimal dhe përgjegjshmëri në shërbimin ndaj pacientëve, duke u ndalur veçanërisht te mjekët e rinj specializantë dhe detyrimi i tyre për të garantuar cilësi në kujdesin shëndetësor.
Gjatë takimit, ministrja foli edhe për zgjerimin e shërbimeve të specializuara në këtë spital. Sipas saj, po punohet për rivlerësimin e kapaciteteve, me synimin që në të ardhmen të ofrohen edhe shërbimi i dializës, kimioterapia ditore dhe kujdesi paliativ.
Këto shërbime synojnë t'u krijojnë mundësi pacientëve me sëmundje kronike dhe të rënda të marrin trajtim më pranë vendbanimit, duke ulur nevojën për të udhëtuar drejt spitaleve universitare.











Komente
Komento