Komisionet kanë nisur punën këtë javë me shqyrtimin e ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Ditën e djeshme gjatë mbledhjes së dy komisioneve, atij të Ligjeve si komisioni përgjegjës dhe Komisioni i Jashtëm për dhënie mendime u dëgjuan përfaqësuesit e pakicave Kombëtare, të shoqërisë civile si dhe ekspertë e akademikë. Të gjithë shprehën vlerësimin e tyre për nismën e këtij ligji, megjithatë kërkuan përmirësimin e disa pikave, si për shembull, lehtësimi i kompetencave të ngarkuara kryeministrit, apo kërkesa për përfaqësim e pakicave në këshillat bashkiak për t’u aktivizuar në hartimin e politikave vendore. Gjithashtu përfaqësuesit e minoriteteve kërkuan të kenë një ministri të tyre. “Krijimin e një Fondi për Marrëdhëniet Ndërkulturore. Fondi miratohet si zë i veçantë në buxhetin e shtetit për mbulimin e të gjitha shpenzimeve financiare vjetore që burojnë nga zbatimi i këtij ligji.

Shtim të numrit të bursave për studentët nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe bashkitë. Krijimi i një ministrie për minoritetet me qëllim përmirësimin e politikave sociale”, thanë përfaqësuesit e grupeve të interesit. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati deklaroi se ligji është angazhim i hershëm i shtetit shqiptar dhe se ky ligj është ndër dokumentët më të plotë që trajton pakicat kombëtare. “Ligji që po diskutohet sot është një angazhim i hershëm i shtetit shqiptar, një angazhim që buron kryesisht nga përkatësia që ka në instanca ndërkombëtare, nga anëtarësia jonë në Këshillin e Evropës, nga aderimi i Shqipërisë në Konventën Kuadër për minoritetet e Këshillit të Evropës, që ndoshta është edhe dokumenti më i plotë, më gjithëpërfshirës që merret apo trajton të drejtat e pakicave kombëtare”, tha Bushati.
Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve,  Ulsi Manja njoftoi se të gjitha propozimet e depozituara me shkrim nga përfaqësuesit e grupeve te interesit do të merren në konsideratë.
 
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com