Minsitria: Vetëkorigjimet, ja
çfarë do të deklarojnë bizneset 

Minsitria: Vetëkorigjimet, ja<br />çfarë do të deklarojnë bizneset 
Çdo subjekt që do të vetëkorrigjojë deri më 31 dhjetor vullnetarisht deklarimin tatimor të mallrave që ka gjendje, do çlirohet nga gjobat ashtu si dhe nga ndjekje penale. Sipas Ministrisë së Financave, çdo subjekt që ka atualisht në inventar mallra të pashoqëruara me faturë TVSH-je, do mund të paraqesë një deklaratë të re tatimore ku të pasqyrohen të gjitha këto mallra.

Po ashtu, vetëkorrigjimi do të kufizohet te deklarimi i produkteve gjendje, pa qenë nevoja që të raportohen në organet tatimore subjektet ku janë blerë këto mallra. Pas kësaj, biznesi duhet të bëjë edhe pagesën e munguar të TVSH për produktet e vetëdeklaruara. “Të gjithë tatimpaguesit që kanë gjendje mallrash pa faturë, të cilët e ribëjnë deklaratën deri në 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti dhe u hiqet ndjekja penale”, shpjegoi Ministri i Financave Shkëlqim Cani gjatë një takimi të djeshëm me gazetarët ku paraqiti rezultatet e deritanishme të aksionit kundër evazionit fiskal.

Aksioni
Duke folur për operacionin kundër informalitetit, ministri Cani i njohu gazetarët me rezultatet e deritanishme të aksionit. “Nuk është arritur akoma të kontrollohet gjysma e bizneseve aktive të regjistruar, gjetjet me shkelje deri  tani janë diku më pak se 10%”, tha Cani.

Ministri bëri të njohur edhe disa tregues të këtij kontrolli. Ai tha se duke filluar nga 1 gusht e deri në 24 shtator janë regjistruar 19 000 biznese, xhiro ditore e deklaruar gjatë këtij muajit shtator krahasuar me shtatorin e vitit 2014, është afër 14 miliardë lekë më shumë, janë rreth 16.000 pajisje të reja fiskale që raportojnë në sistem.

“Gjatë këtyre 25 ditëve të shtatorit janë shtuar mbi 60.000 punonjës në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga vetëdeklarimi i tatimpaguesve. Kjo është një shifër, që na jep kënaqësi dhe është shprehje e ecurisë së reformës”, tha Cani.

Tatimorët
Ndryshimet ligjore prekin dhe vetë administratën tatimore, tha ministri, duke përmendur dy momente. Sipas tij, “konsiderohet vepër e rëndë penale deformimi i pasqyrave financiare, bashkëpunimi për shkeljen e ligjit, për punonjësin e administratës tatimore dhe së dyti, punonjësi i administratës tatimore nuk lejohet që të ketë në pronësi firma kontabiliteti dhe konsulence, kurse inspektori i doganës, nuk mund të ketë agjenci doganore. Nëse vërtetohet se ka të tilla do të largohet nga puna”, nënvizoi Cani.
 
 
Borxhi, Ministria në kërkim të marrjes së Eurobond-it
Ministri i Financave është ndalur edhe tek interesi i medias dhe për eurobondin. Sipas tij, Ministria prej kohësh po studion mundësitë që ofron tregu për sa i përket kushteve të huasë dhe veçanërisht normave të interesit. “Nuk rritet borxhi, nuk kemi probleme me kufijtë e borxhit, sepse ai do zëvendësojë borxhin e vjetër. Edhe nëse marrim 500 milionë, do e zhvendosim nga borxhi i brendshëm në borxh të jashtëm, por nuk do kemi problem me nivelet e borxhit”, tha ministri i Financave.
 
Cani, përgjigje evazive për klauzolat e CEZ
I pyetur nga gazetarët për klauzolën që bllokon hetimet ndaj veprimeve të CEZ në të shkuarën, e nënshkruar edhe nga dikasteri i Financave, Cani dha një përgjigje mjaft evazive, duke theksuar se një vendim i tillë është kompetencë e Ministria e Drejtësisë. Sipas tij, për çdokënd që kryen një blerje, është mëse e kuptueshme të kërkojë të vendosë klauzola që do ta çlironin nga çdo implikim i mundshëm nga e shkuara e aktivitetit të tij. “Kur ka shitje të këtyre masave, përgjithësisht janë klauzolat që e nxjerrin palën nga gjithë vargu i gjërave që mund të zbulohen, por kjo nuk do të thotë që nuk hapen çështje të veçanta”, tha Cani.


“Rapiscan” do paguhet edhe për mallrat që nuk skanohen
Ministri: Kontratën e trashëguam nga qeveria e mëparëshme

 
Bizneset do t’i paguajnë shoqërisë “Rapiscan” tarifën prej 22 eurosh pavarësisht nëse skanojnë apo jo mallrat e tyre. Në një takim me gazetarët, Ministri i Financave sqaroi termat e kontratës së re me këtë shoqëri, duke theksuar se kjo e fundit madje do të përfitojë edhe pagesa nga buxheti i shtetit. “Ishte plotësisht e papranueshme për ne të rishikonim gjithë kontratën, kështu që ne u detyruam të fokusoheshim në disa element të kontratës, kryesisht tek çmimi që nga 39 euro u bë 22 euro për çdo deklaratë doganore.

Kështu ishte dhe në kontratën e vjetër, nuk e ndërruam, pra pavarësisht nëse skanohet apo jo malli, do të paguhet 22 euro për çdo deklaratë doganore, pavarësisht nëse kalon në një pikë doganore ku nuk ka skanim, do të paguhet 22 euro. Kjo kështu ishte, kështu mbeti. Nuk është se nuk bëmë bisedime për këtë që ta ndërronim. Do t’i binte mbi 120 euro për të paguar për ato mjete ku skanohej malli dhe do të kishte devijime”, tha Cani gjatë takimit me gazetarët.

Pagesat e dyfishta
Ministri Cani më pas u ndal tek problemet që janë vërejtur ku vjen fjala te pagesa e dyfishtë. “Ka një problem teknik, të vërtetuar nga koha, ka pagesa të dyfishta, hyn malli në Durrës dhe kalon në Tiranë, tranziti është e pakuptimtë që të paguhet, pra ne jemi të detyruar që të ndryshojmë ligjin, e kemi çuar për mendim, po vonohet pak nga ministritë për të marrë mendim, sepse kështu e kërkon kalimi i çdo ligji, por ne do t’i bëjmë rregullimet; janë pesë rregullime, jo vetëm tranziti, por është dhe material-porositësit që paguan dhe në import të lëndës së parë dhe në eksport, janë magazinat doganore, etj, ku do të bëjmë rregullimet përkatëse”- nënvizoi ministri i Financave.

Duke folur për sigurinë e skanimit, sidomos për mallrat ushqimore, Cani tha se i kemi të gjitha dokumentet që nuk ka asnjë risk, janë marrë licencat, lejet, etj dhe nuk ka asnjë dëm për popullatën. Ministri bëri gjithashtu me dije se “Rapiscan”, përveç të ardhurave nga tarifat, do të përfitojë edhe një kuotë shtesë nga buxheti i shtetit, veçanërisht për dy-tre vitet e para të kontratës.
 
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Halit Valteri: SPAK ka kërkuar masë arresti për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, pritet vendimi

Halit Valteri: SPAK ka kërkuar masë arresti për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, pritet vendimi