Anglia ka pësuar humbje me rezultat 1-0 ndaj Islandës në miqësoren e luajtur në ‘Uembley’, e cila ishte e fundit para fillimit të Euro 2024. Islanda golin e fitores e shënoi në minutën e 12-të me anë të Jon Dagur Thorsteinsson i cili realizoi për 1-0 duke shënuar në cepin e majtë të portierit.
Anglia rastin e parë konkret e pati në minutën e 28-të me Harry Kane, i cili u asistua nga Cole Palmer, por goditja e tij përfundoi mbi traversë. Në pjesën e dytë Anglia rrezikoi sërish, kësaj radhe me anë të Phil Foden i cili u shërbye mirë nga Anthony Gordon, por goditja e tij përfundoi larg shtyllës së djathtë të portierit islandez.
Islanda pati një tjetër mundësi për gol në minutën e 67-të, ku pas një harkimi nga rivënia këndore, Sverrir Ingi Ingason bëri një gjuajtje me kokë e cila u ndal nga portieri anglez.
Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më raste shënimi dhe Anglia e humbi “testin” e fundit para fillimit të Kampionatit Evropian. Anglia ndeshjen hapëse të Euro 2024 do ta luajë ndaj Serbisë më datë 16 qershor me fillim nga ora 21:00.
Ndërkohë Gjermania fitoi 2-1 kundër Greqisë. Për Panzerat shënuan Havertz dhe Gross, teksa përmbysën golin e Masouras.
Polonia fitoi miqësoren 3-1 kundër Ukrainës, ndërsa Skocia barazoi 2-2 ndaj Finlandës.