Disa nga skuadrat kombëtare që do të marrin pjesë në grupet e Kupës së Botës 2026 u angazhuan të dielën në miqësore. Tanimë trajnerët kanë bërë publike listat e futbollistëve të ftuar në eventin më madhor të futbollit, ndërsa skuadrat janë grumbulluar dhe po zhvillojnë miqësoret e para.
Në stadiumin 'Maracana' në Rio de Janeiro, vendasit e Brazilit nuk e patën të vështirë që të fitonin 6-2 kundër Panamasë. Vinicius Junior kaloi 'Seleçaon' në epërsi pas vetëm dy minutave lojë, ndërsa Matheus Cunha vendosi ekuilibrat në minutën e 14-të me autogolin e shënuar. Megjithatë Brazili shënoi me Casemiron në fundin e pjesës së parë për të mbyllur 45 minutat me epërsinë 2-1. Në fraksionin e dytë Brazili shënoi katër gola me Rayan, Lucas Paqueta, Thiago (11 m) dhe Danilon, ndërsa miqtë ngushtuan shifrat me Harvey për ta mbyllur ndeshjen 6-2. Brazili është ndër favoritët kryesorë për të fituar Botërorin 2026.
Në stadiumin e Mainzit, Gjermania fitoi 4-0 kundër Finlandës me dopietën e Deniz Undav dhe golat e Wirtz dhe Musiala. Në Lisbonë, Kepi i Gjelbër mposhti 3-0 Serbinë me golat e Lenini, Duarte dhe Benchimol.
Në stadiumin e St. Gallen, Zvicra fitoi 4-1 kundër Jordanisë. Helvetët shënuan tre herë në pjesën e parë me Embolo (11 m), Ndoye dhe Xhaka (11 m). Miqtë shkurtuan me Al Fakhouri në pjesën e dytë, ndërsa Fassnacht 'vulosi' rezultatin për 4-1.
Japonia fitoi 1-0 kundër Islandës në Tokio me golin e Koki Ogawa në minutën e 87-të. Në Passadena të Californisë, Meksika mposhti 1-0 Australinë me golin e Johan Vasquez në minutën e 28-të. Në stadiumin e Provos në Utah, Korea e Jugut dominoi 5-0 Trinidad dhe Tabago.
Në stadiumin e Harrison në New Jersey, Ekuadori fitoi 2-1 kundër Arabisë Saudite. Porozo dhe Valencia shënuan për amerikanolatinët, ndërsa për arabët ngushtoi Mandash.
Miqësoret përpara Botërorit 2026:
SHBA 3-2 Senegal
Gjermani 4-0 Finlandë
Kepi i Gjelbër 3-0 Serbi
Zvicër 4-1 Jordani
Japoni 1-0 Islandë
Meksikë 1-0 Australi
Komente








