Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë ka miratuar në forumin vjetor të organizatës, një tjetër rezolutë mbi Shqipërinë.

Lidhur me këtë Kreu i grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale pikat e kësaj rezolute që thotë se u miratuan nga partitë anëtare, republikanët e Trump e deri te CDU-ja gjermane.

Bardhi thotë se IDU ngre një sërë shqetësimesh për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, ndërsa kërkon sanksione ndaj zyrtarëve të lidhur me korrupsionin

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Në forumin vjetor të IDU-së në Ëashington DC, u miratua njëzëri Rezoluta për Shqipërinë, nga të gjithë forcat politike të pranishme në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të IDU-së, nga Partia Republikane e SHBA tek CDU e Gjermanisë.

Rezoluta adreson këto çështje: Rrëshqitje Demokratike

IDU nënvizon shkelje sistemike gjatë zgjedhjeve, përfshirë blerjen e votës, intimidimin dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Mbi 4,500 aktivitete shtetërore janë përdorur për fushatë, për të cilat askush nuk mban asnjë përgjegjësi.

 Shkrirja Shtet-Parti-Krim

Rezoluta paralajmëron se rrjete kriminale kanë ndikuar listat e kandidatëve dhe proceset politike në Elbasan, Durrës dhe Vorë, duke cënuar integritetin demokratik.

Kapja politike e drejtësisë

IDU shpreh shqetësim të thellë për hetime të bllokuara, vendime të injoruara nga Gjykata Kushtetuese dhe kontroll në rritje të ekzekutivit mbi prokurorinë, gjyqësorin, shtypin dhe institucionet rregullatore.

Përndjekje selektive e opozitës

Rezoluta dënon ndjekjet penale me motive politike ndaj disa figurave të opozitës, përfshirë kreun e PD Sali Berisha, kreun e PR, Fatmir Mediu dhe kreun e PL, Ilir Meta.

Shqipëria si rrezik narkoshteti

IDU thekson se Shqipëria mbetet një qendër rajonale për trafik droge dhe pastrim parash, një kërcënim për sigurinë europiane dhe besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së.

Thirrje për BE-në, SHBA-të dhe Këshillin e Europës: Rezoluta kërkon kushte strikte meritokracie për rrugën e Shqipërisë drejt BE dhe propozon krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar të pavarur për monitorimin e zgjedhjeve, drejtësisë dhe medias.

Sanksione të synuara

IDU kërkon sanksione të synuara ndaj zyrtarëve të lidhur me korrupsion, krimin e organizuar dhe ndjekjen politike në vend.

Rreziku i një regjimi narkoautoritar

Rezoluta paralajmëron se Shqipëria rrezikon të fundoset në një regjim narkoautoritar nëse nuk ndërmerren reforma të menjëhershme.

Mbështetje për demokratët dhe opozitarët shqiptarë: IDU u bën thirrje anëtarëve të saj të mbeten vigjilentë dhe të mbështesin ata që luftojnë për liri, pluralizëm dhe vlera europiane në Shqipëri.