Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të premten ligjin për buxhetin shtetëror në vlerë rreth 4 miliardë euro, me gjithë kundërshtimet dhe ankesat e opozitës.

Projektligji për buxhetin kaloi në lexim të dytë me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenime, katër ditë pasi ishte miratuar në lexim të parë.

Ligji tani do t’i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për dekretim, para se të hyjë në fuqi.

Votimi erdhi pasi Komisioni për buxhet, punë dhe transfere bëri ndryshime dhe i miratoi ato në ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky është një buxhet i “përkohshëm dhe emergjent”, duke shtuar se ai do të rishikohet.

“Për këtë arsye, ne, si Qeveri, nuk ua kemi dhënë hapësirën as ministrive që të bëjnë ndryshime, duke konsideruar se nuk kemi shumë kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe në mënyrë cilësore, në mënyrë që ato pastaj të mos reflektojnë me probleme gjatë rrugës”, tha Murati.

Partitë opozitare u ankuan se rekomandimet e tyre ishin shpërfillur nga Komisioni dhe i tërhoqën ato në prag të votimit në Kuvend, prandaj edhe votuan kundër kalimit të buxhetit vjetor. Deputetë të caktuar opozitarë paraqiten amendamente gjatë seancën, por nuk morën mbështetje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e kritikoi projektligjin për buxhetin dhe njoftoi se deputetët nga partia e tij do të votonin kundër.

“Ne i tërheqim të gjitha amendamentet dhe nuk e mbështesim këtë buxhet që nuk e reflekton as përbërjen e qeverisë, nuk është dokument profesional, ka shumë defekte për 2026 por do jetë i dëmshëm edhe për vitet e ardhshme”, ka thënë ai në seancë.

Shefja e Grupit Parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku, tha se partia e saj nuk ka votë “për” buxhetin, pasi që Komisioni për buxhet nuk i mori parasysh amendamente e propozuara nga ajo.

Buxheti i vitit 2026 u miratua me disa muaj vonesë, dhe pasi vendi ishte detyruar ta zgjaste buxhetin e vitit të kaluar për disa muaj, për shkak të krizës politike e institucionale.

Si do të shpenzohet buxheti i vitit 2026?

Buxheti i vitit 2026 parashihet të arrijë në rreth 4 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi tre miliardë euro janë ndarë për nivelin qendror, ndërsa 867 milionë euro për nivelin lokal.

Për investime kapitale, të cilat shihen si shtylla kryesore për zhvillimin ekonomik, janë planifikuar 998 milionë euro, ose 7.2% më shumë krahasuar me vitin 2025 (931 milionë euro).

Megjithatë, investimet kapitale përbëjnë vetëm 25.2% të buxhetit të përgjithshëm.

Në një analizë të Institutit GAP thuhet se 81 për qind e buxhetit të projekteve kapitale në vitin 2026 është për projektet që do të vazhdojnë nga vitet e kaluara, ndërsa projektet e reja mbeten të kufizuara si në numër ashtu edhe në vlerë dhe kryesisht janë projekte të vogla.

Shpërndarja e investimeve kapitale, sipas GAP-it, nga niveli qendror në komuna vazhdon të jetë joproporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, ndonëse më e balancuar nga aspekti partiak, duke nxjerrë në pah pabarazi.

Subvencionet dhe transferet

Kategoria me rritjen më të madhe është ajo e subvencioneve dhe transfereve, me një rritje prej 17.4%.

Sivjet janë ndarë mbi 1.3 miliardë euro, krahasuar me rreth 1.1 miliardë euro në vitin e kaluar.

Kjo rritje vjen si rezultat i rritjes së disa kategorive të pensioneve, mbështetjes se lehonave dhe rritjes së asistencës sociale.

Pagat dhe shtesat për mbi 91 mijë punonjës të sektorit publik do të kushtojnë mbi 980 milionë euro, nga 916 milionë euro sa ishin në vitin 2025.

Ndërkohë, shpenzimet për mallra dhe shërbime arrijnë në 509 milionë euro, ose rreth 7 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

Në buxhet janë ndarë edhe 46 milionë euro si rezervë shtetërore për emergjenca, e njëjta shumë si në vitin paraprak, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe likuiditetit financiar.

Për herë të parë, projektbuxheti parasheh edhe pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, për ata që kanë qenë të angazhuar në organizata buxhetore të paktën 12 muaj para marrjes së vendimit.

E barrën kryesore për mbushjen e arkës së shtetit pritet ta mbajnë Dogana e Kosovës, nga e cila parashihet të grumbullohen mbi dy miliardë euro, dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), me rreth 1.2 miliardë euro të hyra të planifikuara./REL