TIRANE- Buxheti dhe paketa fiskale e vitit të ardhshëm është miratuar dje në parlament, vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita ka votuar kundër. Edhe pse kishte paralajmëruar gjatë gjithë javës se do të bllokonte me çdo mënyrë, qoftë edhe të dhunshme, votimin projektbuxhetit dhe Paketës Fiskale, tonet e ashpra opozita i ruajti vetëm në podiumin në mes të protestuesve, ndërsa në parlament, thuajse nuk ndodhi asgjë. Në seancë ishin regjistruar për të folur 20 deputetë të opozitës për ligjet e paketës fiskale, por në mes të punimeve të seancës diskutantët u tërhoqën.

Në këtë mënyrë, opozita nuk demonstroi asgjë nga ato çka kishte paralajmëruar dhe nuk bëri asgjë për të bllokuar këtë buxhet, duke mos marrë pjesë as në diskutime. Burime brenda selisë blu thanë për Shqiptarja.com se deputetët e PD-së u tërhoqën nga diskutimi pasi panë se deputetët e mazhorancës nuk kishin regjistruar emra për këtë çështje, dhe në këto kushte, diskutimi vetëm nga ana e opozitës do të ishte një monolog. Projektligji për buxhetin u votua në tërësi me 86 vota pro, 27 kundër dhe një abstenim.

Vota abstenuese ishte e deputetit Vangjel Dule. Ligji për taksat vendore u miratua me 82 vota pro, 30 kundër dhe 1 abstenim. Ai për sigurimet shoqërore u votua me 80 vota pro dhe 26 kundër, teksa amendimet për ligjin e akcizave u votuan me 81 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenime.

Mes tyre votat kundër ishte ajo e kryeministrit dhe ajo kryetarit të komisionit të ekonomisë, Erjon Braçe. Amendimi i draftit të qeverisë për akcizën e birrës, u propozua nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, që kërkoi uljen e akzicës për birrën vendase, dhe rritjen e asaj të importit, për të mbështetur kështu prodhuesit shqiptarë.

Kuvendi miratoi po ashtu edhe ligjin për pushtetin vendor, i cili rregullon veprimtarinë e bashkive të reja pas reformës territoriale. Ky ligj që synon decentralizimin e pushtetit vendor është shoqëruar me debate mes palëve, dhe pse synon të japë më shumë pushtet bashkive dhe t’i kufizojë veprimtarinë pushtetit qendror. Ky ligj u votua me 88 vota pro dhe 2 kundër.

Kuvendi do të zhvillojë një tjetër seancë ditën e hënë, më datën 21, duke mbyllur kështu sesionin parlamentar për tu rikthyer në janar. Lajmi më i rëndësishëm për të hënën është votimi i amnistisë, nga e cila pritet të përfitojnë qindra të burgosur sipas kritereve që do të finalizohen sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
 
 
Finon e voton PD-LSI e PDIU, e braktis PS

Një amendament i propozuar nga deputeti socialist Bashkim Fino, në ligjin për vetëqeverisjen vendore, ku kërkonte që kryebashkiakët të ushtrojnë vetëm 2 mandate dhe jo 3 si parashikonte ligji, ka shkaktuar një surprizë në sallë.Propozimi i tij nuk u mbështet me vota prej Partisë Socialiste, teksa PD surprizoi duke i dhënë gjithë votat e saj. Pro Finos votoi edhe LSI e PDIU, duke siguruar një shumicë prej 74 votash, 2 abstenime dhe 37 kundër.

Edhe pse siguroi më shumë se gjysmën e votave të parlamentit, Amendamenti i Finos nuk u miratua, pasi ligji kërkonte 84 votat, pasi ligji ishte me shumicë të cilësuar. Votimi i prodhuar solli replika mes Ruçit dhe Finos, ku kreu i grupit kritikoi se pse ligji është sjellë me nxitim kur ka kaq ndasi.
 
 
Paketa fiskale/ Taksat e reja për trojet dhe makinat e luksit
ndryshojnë kontributet që do të paguhet nga profesionet e lira


Kuvendi miratoi paketën fiskale 2016 ku u pranua përjashtimi nga kontributet e shërbimeve shoqërore të pensionistëve të cilët kryejnë aktivitet ekonomik. Po ashtu u miratua formula e kontributeve për profesionet e lira. Ku në zonat me ekonomi të lartë do të paguajnë deri në 29 mijë lekë në muaj, ndërsa në zonat e tjera do të paguhet më pak.

Do të jetë Këshilli i Ministrave që do të miratojë dhe kuotat. Përsa u përket taksave të reja, në vitin 2016, për herë të parë çdo qytetar që posedon një makinë me cilindratë mbi 3000 kubikë dhe me vlerë mbi 50 mijë euro, do të taksohet me 91 mijë lekë të reja në vit, kjo shumë përfshinë taksën e regjistrimit të makinës në masën 70 mijë lekë dhe taksën vjetore të makinës luksoze në vlerën e 21 mijë lekëve të reja. Një taksën e pushtetit vendor me reformën e re territoriale do të futen për herë të parë fjetja në hotele me një rritje të çmimit për akomodim 1 euro nata.

Në vitin e ardhshëm do të shtohet edhe taksimi për pasurinë mbi truallin e ndarë në katër kategori sipas rrethit përkatës. Ndryshimet në taksat nacionale parashikojnë rritje të taksës së primit të shkruar të sigurimeve nga 3 % në 10 % për të ruajtur nivelin e të ardhurave nga ulja e TVSH. Kjo do të ndikojë në një barrë më të lartë fiskale për kompanitë e sigurimit, gjë e cila do të reflektohet tek qytetarët.

LSI: Nuk rritet akciza për prodhuesit e vegjël

Kuvendi pranoi dje propozimin e LSI-së për të mos rritur akcizën e birrës për prodhuesit që nuk e kalojnë nivelin e 200 hektolitrave në vit. Gjatë gjithë fazës së diskutimeve të paketës fiskale në komisionet parlamentare LSI e kundërshtoi rritjen e akcizës për verën dhe birrën vendase.

Ndërkohë që dje, Deputeti Përparim Spahiu argumentoi në Parlament se përjashtimi i prodhuesve të vegjël të birrës nuk jep efekt negativ në arkën e shtetit, si dhe se në këtë mënyrë i vihet në ndihmë kompanive shqiptare. “Së pari, birra vendase nuk ka pasur asnjë efekt negativ në buxhet dhe këtë mund ta konfirmojë edhe ministri i Financave. Së dyti, nëse ajo rritet rrezikon që ky biznes të dëmtohet duke u mbyllur me qindra vende pune. Mosrritja e akcizës i vjen në ndihmë prodhimit vendas dhe s’duhet të rrezikojmë humbjen e tyre”, tha Spahiu. Propozimi i LSI u miratua me 81 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenime.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)