Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka miratuar një rezolutë për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit. Masat u miratuan njëzëri nga anëtarët e këshillit. Ekonomia e Iranit para miratimit të kësaj rezolute ishte disi e tkurrur pasi i ishin vendosur disa nga sanksionet më të rrepta ekonomike.

Përfaqësuesit e 15 vendeve anëtare në Këshillin e Sigurimit votuan unanimisht projekt-rezolutën duke ngritur vetëm duart për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit.

Ky veprim i OKB-së u vendos pas arritjes të marrëveshjes bërthamore. Lajmin e bëri të ditur Ministri i jashtëm i Zelandës së Re Murray McCully, i cili drejton aktualisht presidencën e Këshillit të Sigurimit.

Miratimi i rezolutës së OKB-së shënon një miratim formal për marrëveshjen e arritur mes palëve pas 18 ditë negociatash.
Marrëveshja me Iranin është arritur të martën e kaluar në Vjenë, nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit - Britania, Kina, Franca, Rusia dhe SHBA, plus Gjermaninë.

Dokumenti specifikon se shtatë rezolutat që lidhen drejtpërdrejt me sanksionet e vendosura nga OKB kundrejt Iranit, do të ndërpriten vetëm atëherë kur Irani të përfundojë totalisht programin e tij bërthamor. Sipas marrëveshjes bërthamore, Irani do të frenojë për një dekadë programin e tij bërthamor në këmbim të miliarda dollarëve.


Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)