Kryeqyteti i Shqipërisë, tha Berisha, "si asnjë tjetër, ra pre e babëzisë; nuk ka pasur asnjë faktor tjetër përveç babëzisë që e ka lënë Tiranën kështu. Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës do të regjistrohet si "kryetari i babëzisë".
Paraqitja e Planit të ri Rregullues të Tiranës në një kohë të shkurtër, tha Kryeministri, më bën të vlerësoj ekipin e ri të Tiranës për guximin e treguar në anulimin e planit të trashëguar, planit të bazuar në politikën e shpërblimit dhe ndëshkimit.
"Ndëshkoheshin"- tha ai- "zonat autoktone të Tiranës, që nuk votonin ish-Kryetarin apo nuk votonin majtas dhe shpërbleheshin ato të betonit, që e peshonin ish-Kryetarin me kate banesash, përfshirë edhe ish-Kryetarin e shtetit që e shiti karrigen për tre leje ndërtimi".
Berisha vlerësoi planin e ri urbanistik të Tiranës pasi bazohet tek ”drejtësia sociale”. “Nuk do të ndodhë më që hija e pallatit të shndërrohet në hije rrënimi për ata që jetojnë pranë tij” - tha ai.
“Plani i jep fund një herë e përgjithmonë, ndërtimit të tipit "pallati në pajë" nuk do të mundet kush më t’ua zërë fëmijëve të kryeqytetit këndet e lojrave, as pallati i bashkëshortit, apo nuses. Nuk do pranojmë më ndërhyrje të tilla.”- tha Berisha.
Kryeministri e konsideroi Planin e ri "një dokument plebishitar, të miratuar nga të gjithë qytetarët, pasi për të ka pasur vetëm dy ankesa; njëra nga familja Qesja apo Qosja, çështje pakujdesie, që iu dha Kryetarit të bashkisë për ta trajtuar dhe tjetra, nga familja Kokonozi, e cila nuk ishte përfshirë në këtë Plan".
NDRYSHIMET NE KKT
Shefi i qeverisë informoi se miratimi i planit të ri të kryeqytetit do të shoqërohet me ndryshime ligjore, të cilat parashikojnë kalimin e kompetencave të KKT-së për territorin tek kryetari i bashkisë dhe këshilli teknik i bashkive.
“Nuk mund të merret KKT-së dhe kryetari i saj, kryeministri i vendit, me probleme të zhvillimit të qytetit. Kjo mbledhje hap një kapitull të ri, dhe shkëputet nga një trashëgimi aspak e përshtatshme- tha Berisha.
Kalimi i kompetencave nga KKT tek kryetari i bashkisë është parë me skepticizëm nga Presidenti i shoqates se arkitekteve.
Kryebashkiaku Lulzim Basha e cilësoi si plani i Tiranës metropolita ndersa theksoi se për vënien në zbatim të tij u udhëhoq nga dy parime, transparenca dhe gjithëpërfshirja.
Redaksia Online
(jk/ar.sh/s.g/shqiptarja.com)