/ATSH/.- Kuvendi miratoi të enjten me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligjin "Për investimet strategjike", që synon përshpejtimin dhe zgjerimin e gamës së investimeve vendase ose të huaja në Shqipëri.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim disa ndryshime në ligjin "Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike", që parashikon nxjerrjen për shfrytëzim të tre zonave të lira ekonomike ndaj sipërmarrjes private, zona që ndodhen në Durrës, Koplik dhe Vlorë.
Projektligjit "Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë" u votua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projekti "Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë" u votua me 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim
Në emër të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili kërkoi mbështetjen e deputetëve për këtë marrëveshje.
"Kënaqësia për të kritikuar mjekë, për të qëlluar ministra, për të qëlluar një infermiere të thjeshte atje te shërbimi, etj., por përballja e përditshme, nevoja e përditshme për afrim shërbimi dhe krijimi i këtij mosbesimi rrënues nuk i ka bërë qytetarët që të jenë më të qetë, po i ka bërë më të shqetësuar, edhe kur marrin disa përgjigje që sistemi i jep me korrektesë dhe në mënyrë permanente. Ndaj, edhe duke mbyllur fjalën time, ndaj edhe bëra këtë parantezë për të pasur dakordësi ekstra-politike, do doja t'u bëja thirrje të gjithëve që, më e rëndësishmja është ti qasemi ndryshe sistemit dhe të qetësojmë pasionet e ulërimave ndaj sistemit sepse ai ka nevoje për inkurajim e mbështetje, dhe për besim reciprok qytetar, dhe nuk ka nevoje për një luftë politike që nuk i ka bërë më mirë të jetojnë as ata qytetare që votojnë mazhorancën as ata që votojnë opozitën. Mbështetja për marrëveshjen është e plote, është shumë e domosdoshme, e vetmja gjë që do të kisha: monitorim të fortë që marrëveshja të zbatohet në çdo pike të saj sepse dobia e implementimit të saj është jetike për sistemin", tha z. Vasili.
Pjesë e rendit të ditës të seancës plenare ishte edhe projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane për grantin e asistencës financiare për projektin "Ngritja e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri II" që u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Pjesë e rendit të ditës të seancës plenare ishte edhe projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane për grantin e asistencës financiare për projektin "Ngritja e kapaciteteve për zhvillimet në përmasa të mëdha të infrastrukturës së gazit në Shqipëri II" që u miratua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim u votua dhe projektvendimi "Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", ndërsa projektvendimi "Për krijimin e komisionit të posaçëm parlamentar në sistemin e Drejtësisë" u votua me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektvendimi "Për miratimin e përbërjes së komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e Drejtësisë" u votua me 74 vota pro,asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ku z. Vexhi Muçmataj zëvendëson z. Armando Subashi.
Projektvendimi "Për caktimin e një anëtari zëvendësues në përbërje të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e Drejtësisë" u votua me 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Znj. Silva Caka është anëtare zëvendësuese. Kuvendi votoi dhe projektvendimin "Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit".
Asllan Dogjani -anëtar te Komisioni për Sigurinë Kombëtare.
Znj. Irma Kopliku- anëtare te Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.
Mimoza Hajdarmataj - anëtare te Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
Arbjola Halimi- anëtare te Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.